Monday, November 25, 2024
HomeSOCIALEEKONOMIParku fotovoltaik me kapacitet 100 MW në Fier

Parku fotovoltaik me kapacitet 100 MW në Fier

Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për ndërtimin e centralit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike dhe veprave ndihmëse nga shoqëria “GREENNAT SOLAR PARK BALLSH”, në zonën kadastrale nr.1090, njësia administrative Ballsh, bashkia Mallakastër, qarku Fier. Sipas vendimit të qeverisë, kapaciteti i instaluar do të jetë 100 MW. Në vendim përcaktohet se koha për ndërtimin, pajisjen me lejen e ndërtimit dhe vënien në operim të parkut fotovoltaik do të jetë brenda 60 muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi. Ndërkohë, afati i operimit do të jetë 49 vite nga hyrja në fuqi e këtij vendimi. Po ashtu, sipas vendimit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore ose institucione të tjera të autorizuara kanë të drejtë të ushtrojnë mbikëqyrje të përgjithshme me afate 3-mujore gjatë realizimit, vënies në punë dhe operimit, me synim që të verifikojnë se ecuria e punimeve, cilësia, konformiteti dhe operimi janë në përputhje me programin e përgjithshëm të realizimit dhe të dokumentacionit të projektit. “Shoqëria “GREENNAT SOLAR PARK BALLSH”, sh.p.k., ose shoqëria për qëllime të veçanta ka detyrimin që të paraqesë periodikisht (çdo tre muaj) pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore ose institucioneve të tjera të autorizuara, informacion për ecurinë e ndërtimit të centralit fotovoltaik; të respektojë kushtet e cituara në lejet, licencat dhe autorizimet paraprake mjedisore, lëshuar nga institucionet përgjegjëse kombëtare; të dorëzojë sigurimin e kontratës, në masën jo më pak se 5% të vlerës së investimit, përpara nënshkrimit të kontratës, ndërmjet shoqërisë “GREENNAT SOLAR PARK BALLSH”, sh.p.k., ose shoqërisë për qëllime të veçanta dhe ministrisë. Në këtë kontratë përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e palëve për realizimin e këtij projekti, penalitetet, në rast mosrealizimi, si dhe çështje të tjera që lidhen me zbatimin e saj; t’i japë falas, në formë royalty, ministrisë përgjegjëse për energjinë sasinë e energjisë elektrike, në masën 2% të sasisë vjetore të prodhimit të energjisë elektrike ose konvertimin e saj në vlerë monetare. Në rast konvertimi në vlerë monetare, shuma duhet të derdhet tërësisht në buxhetin e shtetit”, thuhet në vendimin e qeverisë. ATA

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments