Edicioni i 18-të i Panairit të verës “Vini Arbëreshë”, që u mbajt më 24 qershor në Vaccarizzo Albanese, në Kalabri, në zonën arbëreshe, bëri bashkë prodhuesit më të spikatur të verës tradicionale arbëreshe dhe shqiptare, me qëllimin promovimin e cilësisë së verës, ripërtëritjen e identitetit historik, kulturës dhe traditës shqiptare.
Degustimi i verërave i shoqëruar me gatime të produkteve vendase tërhoqi kureshtarët, turistët, profesionistët e sektorit të verërave, të cilët përfituan nga Festivali për të marrë pjesë, por mbi të gjitha për të shkëmbyer përvoja dhe njohuri mbi temën e verës. Në qendrën historike ku u mbajt ky aktivitet kishte shumë kompani dhe prodhues që u ofruan vizitorëve më të mirën e prodhimit të tyre shoqëruar me verë artizane tradicionale cilësore, ku padyshim tërhoqi vëmendje të veçantë vera shqiptare.
Eventi synon promovimin dhe rritjen e verërave nga prodhuesit e vegjël në komunat arbëreshe dhe zgjerimin e bashkëpunimit me prodhuesit shqiptar të këtij sektori.
Në këtë panair merrnin pjesë autoritetet e këtij rajoni; Antonio Pomillo, Kryetar i Bashkisë Vaccarizzo Albanese, Gianluca Gallo, këshilltar për Bujqësinë, Resurset Agroushqimore dhe Pyjtarinë, Rajoni i Kalabrisë, Giacomo Giovinazzo, Drejtor i Përgjithshëm i departamentit për bujqësinë dhe resurseve agroushqimore, Rajoni Kalabrisë. atsh