Panairi ZAN’ART – “Artizanati Shqiptar nga Tradita në modernitet”, do të sjellë nesër në Hotel Rogner, 35 ekspozitorë të artizanatit shqiptar të cilët do të demonstrojnë produkte autentike si: qeleshja shqiptare; çiftelia në miniaturë; kostumet kombëtare; suvenire dhe veshje me motive shqiptare; qëndisjet tradicionale; punimet në dru dhe qelq; poçeria e filigrani; maska veneciane dhe shumë produkte të tjera unike që mbartin traditën shqiptare.
Workshop-i është një mundësi e shkëlqyer për të mësuar më shumë rreth kulturës dhe traditave shqiptare. Për këtë arsye, do të zhvillohen 11 workshop-e nga mjeshtrat e artizanatit ku do të prezantojnë teknikat tradicionale të punimeve artizanale për të nxitur kreativitetin dhe vlerësimin e artizanatit.
Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve sqaron se në këtë event të veçantë do të marrin pjesë Kryeministri Edi Rama, ministri i Ekonomisë Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja, artizanë shqiptarë si dhe partnerë dhe mbështetës të këtij sektori.
Aktiviteti ka për qëllim jo vetëm promovimin, por ndërveprimin me target-grupe të interesuara për produktet e tyre duke menduar zhvillimin e këtij zanati. Përmes takimeve dhe workshope-ve, ekspozitorët e ZAN’ART do të kenë mundësinë të prezantojnë produktet dhe bizneset e tyre përballë një audience të përzgjedhur nga fusha si hoteleri-turizëm, agroturizëm dhe target-grupe të interesuara për sektorin e artizanatit, duke u mundësuar zgjerimin e tregjeve. Nga ana tjetër organizimi i tryezave të diskutimit me aktorë të sektorit dhe institucioneve shtetërore do të adresojë sfidat e artizanatit në Shqipëri dhe planet strategjike. Kjo shihet nga organizatorët si një mundësi unike promovimi, ndërveprimi dhe diskutimi.
ZAN’ART synon të krijojë një urë të gjallë ndërmjet brezave, duke i rikthyer artizanatit shqiptar vendin që meriton në shoqëri – jo thjesht si mjeshtëri, por si një formë e gjallë e trashëgimisë kulturore. Ky event do të shërbejë si një piedestal për duarartët, ata që me pasion dhe durim ruajnë dhe përcjellin vlerat tona kombëtare. Çdo qepje, gdhendje, thurje apo ngjyrosje mbart një histori – një frymë të hershme që flet për identitetin tonë, për rrënjët dhe shpirtin e këtij vendi.
Pjesëmarrja e 40 ekspozitorëve në ZAN’ART paraqet një mundësi të shkëlqyer për zhvillimin e zanateve të trashëguara brez pas brezi dhe është një thirrje për ta vlerësuar të bukurën e krijuar me dorë Në këtë ngjarje të rëndësishme do të bashkohen mbi 200 persona pjesëmarrës duke filluar nga artizanët shqiptarë, bashkitë e qyteteve të ndryshme, institucionet kulturore (si: Muzeu, Akademia e Arteve etj.), bizneset artizane, tregtarët e produkteve të artizanatit, partnerët dhe mbështetësit e këtij sektori, si dhe institucionet mbështetëse, si dhomat e tregtisë, ambasadat dhe organizatat zhvillimore.
Nga aktiviteti pritet të arrihet promovimi i artizanatit shqiptar dhe mjeshtërisë tradicionale që përfaqëson identitetin tonë kulturor. Nxitja e ruajtjes dhe zhvillimit të zanateve të trashëguara brez pas brezi. Pasurimi i ofertës turistike të Shqipërisë duke ofruar produkte autentike dhe eksperienca unike për vizitorët. Rritja e ndërgjegjësimit mbi rëndësinë kulturore dhe ekonomike të artizanatit. Shtimi i kërkesës për produktet artizanale në tregun vendas dhe atë ndërkombëtar.