Paketa me pajisje bashkëkohore për fikjen e zjarreve në pyje, të përfituara nga projekti i DG-ECHO, “IPA FLOODS & FIRES” për strukturat operative të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi të disa bashkive, u dorëzuan sot, si një hap i rëndësishëm për të rritur aftësitë profesionale. Lajmin e bëri të ditur Ministria e Brendshme, e cila u shpreh në një postim në rrjetet sociale se pjesëmarrja në këtë modul është një mundësi për rritjen e kapaciteteve.
“Ky modul i njëjtë për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, i cili do të aktivizojë strukturat e 7 bashkive, do të jetë pjesë e një stërvitjeje rajonale në Shkup, Maqedoni e Veriut, të mbështetur nga Bashkimi Europian”, u shpreh Ministria e Brendshme. “Kjo është një mundësi e rëndësishme për të rritur kapacitetet në fikjen e zjarreve në pyje përmes trajnimeve të specializuara dhe pajisjeve të standardeve të BE-së”, përfundon njoftimi.