Numri i përfituesve nga skema e re e pagesës me këste të detyrimeve rritet çdo ditë. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) bën të ditur se 728 abonentë familjarë kanë përfituar deri tani nga skemat lehtësuese për detyrimet e energjisë. Nga këta, 417 abonentë përfituan 70 % reduktim kamatëvonese dhe 311 abonentë po paguajnë me këste. OSHEE Group prezantoi në fillim të muajit skema të reja lehtësuese për barrën e faturave të papaguara të energjisë elektrike. Në skemat e aktmarrëveshjeve, përfshihen gjithashtu edhe detyrimet e papaguara nga faturat; dëmi ekonomik, fatura sistemuese, fatura testim matësi, fatura korrektive, që i përkasin vitit 2023 e në vijim. Klientët familjarë që trajtohen me ndihmë ekonomike, pensionistët-kryefamiljarë, ose klientët me status të veçantë, mund të paguajnë detyrimet e prapambetura me këste fikse mujore 1200 lekë. Klientët e tjerë familjarë mund të paguajnë detyrimet e prapambetura me këste fikse mujore 2800 lekë. Klientët jo familjarë, buxhetorë dhe jobuxhetorë mund të paguajnë detyrimet e prapambetura me këste të përcaktuara në bazë të vlerës së debisë.
