Me ekzekutimin e himnit shtetëror e atij kombëtar dhe një minutë heshtje për të gjithë të rënët për lirinë e Kosovës ka nisur seanca solemne e Kuvendit të Kosovës, në nder të 25-vjetorit të çlirimit nga forcat pushtuese serbe, ku pjesëmarrës ishin edhe personalitete dhe figura të rëndësishme rajonale dhe ndërkombëtare.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se më 12 qershor 1999 forcat e NATO-s sollën dritë shprese për Kosovën, duke shpëtuar popullin nga shfarosja që synonte regjimi serb i Millosheviqit.
Ajo nënvizoi se NATO në vitin 1999 dha mbështetjen vendimtare për lirinë e Kosovës, andaj sot, 25 vjet pas çlirimit, Kosova synon dhe meriton anëtarësimin e plotë në këtë aleancë ushtarake.
Osmani përmendi rezistencën e ish-presidentit Ibrahim Rugova, heroizmin e komandantit legjendar Adem Jashari dhe tërë dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët u shndërruan në gurëthemel të lirisë së Kosovës.
Presidentja Osmani theksoi edhe partneritetin dhe aleancat me shtetet mike të Kosovës, për të cilat tha se duhet mirëmbajtur dhe mos të merren si të mirëqena.
Kosova shënon ditën e çlirimit, ku 25 vjet më parë u vendosën 50 mijë ushtarë të NATO-s dhe bashkë me ta edhe administrata e përkohshme e Kombeve të Bashkuara. E gjatë gjithë këtyre viteve, institucionet nuk e kanë zyrtarizuar si festë zyrtare shtetërore.