Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se Kosova do t’i mbrojë kufijtë e saj me çdo kusht dhe në secilin cep të territorit të vendit. Në adresimin e saj para Kuvendit të Kosovës, Osmani ka thënë se Kosova nuk do të thyhet nga qëllimet hegjemoniste të Serbisë për aneksimin e veriut. Osmani theksoi se agresioni i Serbisë ndaj Kosovës më 24 shtator në Banjskë, dëshmon se politika e sotshme e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, është politika e djeshme e ish kasapit të Ballkanit, Millosheviç. Megjithëse dy partitë opozitare PDK dhe AAK, e bojkotuan fjalimin e Osmanit, ajo tha se nuk duhet të ketë ndarje partiake apo ideologjike, por duhet të ketë unitet pa dallim. Osmani para deputetëve të mazhorancës dhe atyre të Lidhjes Demokratike të Kosovës, përmendi edhe sfidat në dialogun me Serbinë, ku kërkoi balancim më të madh nga ndërmjetësuesit e dialogut dhe heqje të masave ndaj Kosovës. Përkitazi me këtë, presidentja Osmani nënvizoi se draftstatuti i Asociacionit, që i është dorëzuar Kosovës nga euro-amerikanët, duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Osmani tha se në raport me agresionin e Serbisë ndaj Kosovës më 24 shtator, populli i Kosovës dhe përfaqësuesit e saj kanë ditur të bashkohen rreth kauzës së mbrojtjes së shtetit tonë të ndërtuar me aq shumë sakrifica. Në seancën ku të pranishëm ishin edhe kori diplomatik në Kosovë, Osmani kritikoi Bashkimin Evropian për qasje të njëanshme në dialog. Në anën tjetër, Osmani bëri thirrje që për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të gjithë, pa dallime partiake, të bashkohen për ta formuar në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, e jo të jetë me kompetenca ekzekutive. Ajo tha se pavarësisht deklaratave të zyrtarëve evropian dhe amerikanë se drafti është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, një vlerësim të tillë duhet ta bëjë vetëm Gjykata Kushtetuese. Duke folur për fuqizimin ndërkombëtar të Kosovës, Osmani tha se anëtarësimi në NATO duhet të jetë prioritet numër një i vendit. Po ashtu, Osmani bëri thirrje për unifikim i shqiptarëve në politikën e jashtme dhe koordinim më të madh me Shqipërinë
Osmani: Kosova do t’i mbrojë kufijtë e saj me çdo kusht
RELATED ARTICLES