Kursi intensiv, i organizuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri në bashkëpunim të ngushtë me trajnerë nga Policia Federale Austriake, synoi të përmirësonte aftësitë e punonjësve të policisë për të vepruar në mjedise të vështira malore, duke garantuar sigurinë e banorëve të zonës dhe turistëve.

Duke u mbështetur në bazat e vendosura nga një trajnim i mëparshëm në Theth, në vitin 2022, ky program shënoi një hap tjetër të rëndësishëm në përpjekjet e Shqipërisë për të rritur kapacitetet e saj në terrene malore. Trajnimi në Theth ishte një moment kyç në forcimin e gatishmërisë operacionale të policisë alpine shqiptare, ndërsa sesioni i këtyre ditëve e çoi më tej këtë objektiv.

Austria, e njohur për ekspertizën e saj në policimin alpin, ofroi trajnerë me përvojë, të cilët i drejtuan udhëhoqën pjesëmarrësit në një kombinim të ushtrimeve teorike dhe praktike. Punonjësit e policisë u trajnuan për aftësitë thelbësore si operacionet efektive të shpëtimit, protokollet e sigurisë dhe policimi taktik në male. Kursi përfshiu edhe prova intensive të qëndrueshmërisë dhe ushtrime për reagim të shpejtë në situata emergjente. Pjesëmarrësit morën përvojë praktike në ndihmën e parë, evakuimin e të plagosurve dhe përdorimin e pajisjeve të specializuara alpine, duke përfshirë litarët dhe rripat mbajtës, të cilët janë të domosdoshëm për mbijetesën në kushte ekstreme.