Tuesday, November 26, 2024
HomeSOCIALEOSBE organizon Forumin VIII vjetor për Zhvillimin e Medias

OSBE organizon Forumin VIII vjetor për Zhvillimin e Medias

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizoi Forumin VIII vjetor për Zhvillimin e Medias, një platformë dialogu kjo mes medias, institucioneve shtetërore dhe shoqërisë civile. Forumi i këtij viti u përqendrua në çështje të lidhura me lirinë dhe zhvillimin e medias në vend, sigurinë e gazetarëve dhe sfidat e krijuara nga dezinformimi dhe propaganda, me të cilat ballafaqohen media dhe gazetarët në Shqipëri. Gjatë fjalës së hapjes, ambasadori Vincenzo Del Monaco, kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, theksoi angazhimin e Prezencës për çështjen e lirisë së medias në vend. Ai tha se Prezenca i ka ndjekur me vëmendje deklaratat e lëshuara së fundmi prej sistemit të drejtësisë për ndalimin e medieve që të botojnë informacionet si rezultat i rrjedhjeve që pasuan sulmet kibernetike të verës. “I nxisim autoritetet dhe mediet që të tregohen të ekuilibruar dhe të matur, si dhe të vlerësojnë me kujdes të drejtën e publikut për informim, konfidencialitetin, sigurinë dhe privatësinë”, tha ai. “Që nga fillimi i punës sonë në vend, bëhet fjalë për 25 vjet më parë dhe prej tyre gati dy vite të shërbimit tim në krye të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Prezenca ka nisur një rrugëtim me partnerët tanë publikë institucionalë dhe me anëtarët e komunitetit të medias duke u angazhuar për arritjen e qëllimeve të mëposhtme: përmirësimi i të drejtave dhe mbrojtjes që u ofrohet gazetarëve, përmirësimi i cilësisë së raportimit të medias, ndihma për rritjen e një brezi të ri gazetarësh dhe hartimin e programeve të studimeve universitare në fushën e gazetarisë, mbështetja e Transmetuesin Publik, bashkëpunimi me organizmat rregullatorë për përafrimin e standardeve të funksionimit të vendit me kodet evropiane dhe ndërkombëtare, fuqizimi i zhvillimit sa më të gjerë të medias shqiptare dhe shtimi i mundësive për bashkëpunim rajonal”, theksoi Del Monaco. “Pavarësisht nga fushat ku duhet të përmirësohemi, jemi mirënjohës – jam personalisht mirënjohës – për partneritetin tonë me institucionet publike, komunitetin e gazetarëve dhe shoqërinë civile mediatike shqiptare. Do të doja të ndaja me ju disa nga arritjet ose të paktën ato fusha ku besoj se ka pasur një arritje: Së pari, projekti i financuar nga Bashkimi Evropian (BE) “Media në Fokus” i ofroi asistencë teknike RTSH-së dhe Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit të Universitetit të Tiranës. Falë këtij projekti u krijuan mundësi pune pranë RTSH-së për të studentët e diplomuar të gazetarisë dhe zyrtarizoi stazhet pranë transmetuesit publik për vitin e dytë radhazi. Bashkëpunimi me Autoritetin e Mediave Audio-Vizuale (AMA) me ekspertët tanë partnerë të Përfaqësuesit për Lirinë e Medias dhe ODHIR-it që mbështesin hartimin e Kodit të Transmetimit ka qenë mjaft i frytshëm. Një thirrje e kohëve të fundit për konsultime mbi Ligjin ekzistues për Median Audio-Vizuale ofron një mundësi të mirë për të adresuar çështje të rëndësishme si mbrojtja e fëmijëve gjatë transmetimeve televizive dhe transparenca lidhur me pronësinë e medias. Zbulimi i plotë i pronarëve dhe përfituesve të medias private është një çështje për t’u diskutuar dhe sesionet tona të sotme synojnë të hedhin dritë të mëtejshme lidhur me përmirësime të mundshme në këtë drejtim. Verën e kaluar, nisma jonë Shtigje Rinore, duke shfrytëzuar mentorë nga mbarë Ballkani Perëndimor që bashkëpunojnë me Platformën tonë Mediatike të Tiranës, organizoi trajnime për studentët e gazetarisë së Universitetit të Tiranës për verifikimin e fakteve dhe luftimin e lajmeve të rreme në bashkëpunim me një partner vendor, Faktoje.al. Në fakt, lejomëni t’ju informoj se solla në vëmendjen e shteteve Pjesëmarrëse të OSBE-së punën që bëjmë në fushën e medias: gazetarinë e verifikimit të fakteve dhe luftën kundër korrupsionit përmes thjerrëzave të gazetarisë hulumtuese falë punës suaj. Kolegët tanë të medias private dhe anëtarët kryesorë të Grupit të Partnerëve të Medias në Tiranë pritën një delegacion gazetarësh të rinj nga Kosova – shqiptarë dhe serbë – që vizituan javën e kaluar në kuadrin e një fellowshipi mediatik të iniciuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë. Shumë faleminderit kolegëve tanë në Kosovë! Në përpjekje të tjera rajonale, Prezenca ka angazhuar gazetarë të rinj nga Universiteti i Nishit në Serbi në një produksion të përbashkët me homologët e tyre nga Universiteti i Elbasanit, produksion të cilin shpresojmë ta shfaqim më pas gjatë Forumit. Gazetarët e rinj, së bashku me anëtarët e Misionit të OSBE-së në Serbi, janë të pranishëm që ta kremtojmë së bashku këtë arritje. Pika e fundit dhe sigurisht jo më pak e rëndësishme se të tjerat ka të bëjë me kremtimin e miratimit zyrtar të kurrikulës së re të gazetarisë në Universitetin e Tiranës. Ajo pasqyron punën e palodhur dhe mbështetjen e partnerëve tanë publikë në Ministrinë e Arsimit. Gjithashtu, ne vlerësojmë marrëdhënien me kolegët në Bashkimin Evropian që financuan këtë nismë dhe Prof. Mark Marku, Shef i Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit pranë Universitetit të Tiranës, i cili është gjithashtu këtu për të vlerësuar këtë arritje”, theksoi Del Monaco. Në hapje të takimit folën edhe Teresa Ribeiro, përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias, Alexis Hupin nga Delegacioni i Bashkimit Evropian (BE) në Shqipëri dhe Olsi Dekovi, Zv. Kryetari Shefi i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë. Sesioni i parë i Forumit iu kushtua sfidave kryesore të lirisë dhe të zhvillimit të medias me të cilat u përball Shqipëria gjatë vitit të fundit. Në sesionin e dytë, diskutimet u përqendruan te rëndësia e gazetarisë hulumtuese, dezinformimit dhe verifikimit të fakteve si një mjet në luftën kundër korrupsionit dhe për promovimin e gazetarisë profesionale. Forumi gjithashtu përshëndeti kurrikulën e rishikuar rishtazi të programit Bachelor që do të vihet në zbatim në Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës që nga ky vit akademik. Kurrikula është një prej rezultateve të projektit “Media në Fokus – Forcimi i Transmetuesit Publik dhe Shkollës së Gazetarisë në Shqipëri”, i cili u zbatua nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri me fonde të BE-së.https://ata.gov.al/2022/10/11/osbe-organizon-forumin-viii-vjetor-per-zhvillimin-e-edias/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments