Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk shprehu keqardhjen ”për një rritje të madhe të urrejtjes në botë që nga sulmet e Hamasit më 7 tetor”. Turk shprehu keqardhje të fortë, në një deklaratë për shtyp, për rritjen e rasteve të antisemitizmit, islamofobisë dhe gjuhëve të tjera të urrejtjes. “Ndikimi i kësaj krize… ka jehonë kudo duke dehumanizuar si palestinezët ashtu edhe hebrenjtë. Ne po shohim një rritje të konsiderueshme të gjuhës së urrejtjes, dhunës dhe diskriminimit, thellimin e thyerjeve sociale dhe polarizimit si dhe mohimin e të drejtave për lirinë e shprehjes dhe grumbullimeve paqësore”, tha ai. ”Kam dëgjuar hebrenjtë dhe myslimanët që thonë se nuk ndihen të sigurt dhe kjo më trishton”, shtoi zyrtari i OKB-së. Ushtria izraelite po rrethon qytetin kryesor të Rripit të Gazës, duke u përpjekur të shtypë Hamasin në shenjë hakmarrjeje për sulmet e 7 tetorit që autoritetet izraelite thonë se vranë rreth 1 400 persona në Izrael, shumica prej tyre civilë. Ministria e shëndetësisë e Gazës, e drejtuar nga Hamasi, thotë se më shumë se 9 200 banorë të Gazës, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë gjatë ofensivës izraelite. Turk tha se në të gjithë botën ”ngacmimet islamofobike dhe antisemite, sulmet dhe gjuha e urrejtjes janë shtuar, duke përfshirë edhe në kontekstin e protestave të lidhura me konfliktin”. Komisioneri i Lartë denoncoi gjithashtu “retorikën nxitëse, toksike dhe urrejtëse” të përdorur nga liderët politikë. ”Përroi i gjuhës së urrejtjes së përdorur, përfshirë në mediat sociale, është i neveritshëm”, tha ai. “E drejta ndërkombëtare është e qartë për këtë çështje. Çdo thirrje për urrejtje kombëtare, racore ose fetare që përbën nxitje për diskriminim, armiqësi ose dhunë është e ndaluar”, përfundoi Turk.
OKB: Rritje e ndjeshme e urrejtjes në botë pas 7 tetorit
RELATED ARTICLES