Në Spitallë, Durrës u prezantua projekti i rikualifikimit urban të kësaj zone. Ky projekt quhet “Oazi i Ngjyrave”, pasi rrugët perimetrale të zonës trajtohen me ngjyra në trotuare dhe në mure rrethuese. Në takimin e zhvilluar me banorët e kësaj zone, kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako tha se “në sajë të këtij projekti do të rehabilitohen tërësisht rrugët kryesore: rruga “Shkodra”, “Azem Hajdari”, “Petrit Llaftiu”, Shoqata e Durrësit, Ohri dhe Kashta e Kumtrit me kanalizime, asfaltim, trotuare të lyera me ngjyra sipas përcaktimeve në projekt, ndriçim LED, gjelbërim si dhe e gjithë sinjalistika horizontale e vertikale” Sako tha se do të rehabilitohen tërësisht 50 rrugët e brendshme të zonës së Spitallës, që do të shtrohen me shtresë betoni me sipërfaqe të punuar dhe lyerje. “Rrugët lokale dytësore të cilat aktualisht janë të ngushta do të jenë me gjerësi të tre tipeve 3m, 3.5 m dhe 4m. Do të bëhet zëvendësimi i të gjitha mureve rrethuese dhe portave që kufizohen me këto rrugë në të dy anët e saj. Të gjitha muret rrethuese do të jenë të trajtuara me ngjyrat e përzgjedhura që do të jenë të njëjta me ngjyrën e trotuareve përgjatë të cilëve ndodhen”, theksoi Sako. Kryebashkiakja Sako bëri të ditur se në të gjitha rrugët kryesore dhe ato të brendshme do të ketë gjelbërim dhe ndriçim LED. Po kështu në këtë zonë do të ketë korsi biçikletash, si dhe ambiente shlodhëse. Ky është projekti që do të transformojë të gjithë zonën e Spitallës dhe do të përmirësojë cilësinë e jetesës së banorëve të kësaj zone.http://ata.gov.al/2022/09/23/oazi-i-ngjyrave-projekti-i-rikualifikimit-per-transformimin-e-spitalles/