Nxënësit e talentuar të shkollave kanë risjellë në çdo detaj mozaikun “Shqipëria” që gjendet në ballinën e Muzeut Historik Kombëtar.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu ndau në rrjetet sociale pamje nga ky mozaik, i realizuar në kuadër të Vitit të Gjuhës Shqipe dhe 80-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë.
“Nxënësit e shkollave i kanë dhënë jetë disa prej veprave të artit shqiptar, të cilat përfaqësojnë personalitete dhe ngjarje të rëndësishme të traditës kulturore dhe historisë sonë. Mozaiku “Shqipëria” në Muzeun Historik Kombëtar, i realizuar në vitin 1981 nga puna e përbashkët e disa piktorëve të njohur shqiptarë shfaq disa nga momentet më të rëndësishme të historisë së vendit dhe nxënësit tanë të talentuar kanë bërë një punë shumë komplekse për ta risjellë në çdo detaj këtë vepër”, tha Manastirliu.
Nxënësit që realizuan këtë vepër janë: Ervis Kola, Anxhela Palushi, Gentian Islamaj, Sibora Gjikopulli, Flavjo Grrica, Xheinaldo Balla, Zenel Hajdaraj, Kjara Kollcaku, Sildi Hajdaraj, Bruno Lilaj, Renito Ibra, Ina Hasimja, Arjon Pulleja.
Për Vitin e Gjuhës Shqipe, Ministria e Arsimit dhe Sportit ka planifikuar një sërë aktivitetesh në rang kombëtar dhe mbarëkombëtar, ku do të përfshihen të gjitha shkollat në vend por edhe në diasporë.