Për vendimin e Ministrit të Financave, Hekuran Murati, që punëtorët e sektorit publik të cilët janë në grevë, nuk e marrin pagën e plotë nga Qeveria e Kosovës, kanë reaguar edhe njohësit e çështjeve ligjore dhe ekspertë të arsimit.Sipas tyre, ky vendim është i kundërligjshëm, ndërsa theksojnë se tani do të ballafaqohet me pasojat e Ligjit dhe do të duhej të shkarkohej prej kryeministrit Kurti. Ndërkohë, dje Sindikata e Arsimit ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë ndaj vendimit të ministrit Murati. Punëtorët e sektorit publik që janë në grevë, nuk e marrin pagën e plotë nga Qeveria e Kosovës, vendim ky i marrë ditë më parë nga ministri i Financave, Hekuran Murati. Ai pat theksuar se për 5 ditë pune, punëtorët në grevë do të kenë rreth 90 euro minus në pagë për këtë muaj. Ndërkohë, njohësi i çështjeve të arsimit, Jonuz Salihaj, tha për Radio Kosovën se greva është e ligjshme dhe se me këtë vendim, ministri Murati është treguar i papërgjegjshëm, derisa theksoi se ai do të ballafaqohet me pasojat e Ligjit dhe do të duhej të shkarkohej nga kryeministri Kurti. “Ka treguar se praktikisht merr vendime të papërgjegjshme dhe do të ballafaqohet me pasojat e ligjit. Gjykata do të dalë në anën e sindikatës, sepse Ligji e thotë që greva është e patjetërsueshme. Për këtë vendim që e ka bërë ministri Murati, po të isha ne vendin e Albin Kurtit, do ta shkarkoja menjëherë nga detyra”, tha ai . Njohësi i çështjeve ligjore, Ehat Miftaraj, tha për Radio Kosovën se në bazë të ligjeve në fuqi nuk është e drejtë që të ndalen pagat për ata punëtorë që janë në grevë. “Në bazë të Ligjit për Grevat, në bazë të ligjeve për bashkim sindikal, në bazë të asaj që e parasheh Kushtetuta e Kosovës dhe asaj çka ka promovuar Lëvizja Vetëvendosje në vazhdimësi, është e pakuptimtë dhe e pavend që të ndalen pagat e të gjithë atyre që janë pjesë e grevës”, tha ai. Për vendimin e ministrit Murati, Sindikata e Arsimit ka njoftuar se dje është dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë. Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, ka thënë përmes një komunikate se ndërhyrja e Partnerit Social – Qeverisë në rrjedhën e grevës, është joligjore. “Është ligji ai që të punësuarit grevist ia jep këtë të drejtë, e cila nuk duhet të cenohet”, thuhet në njoftimin e BSPK-së. Kërkesa kryesore e sindikatave të këtyre punëtorëve, drejtuar Qeverisë së Kosovës, është ndarja e nga 100 eurove për punëtorët, derisa të hyjë në fuqi Ligji për Pagat.https://www.rtklive.com/sq/news-single.php?ID=615799