Rruga e “Albanopolisit” është projekti i radhës që bashkia e Krujës ka nisur në kuadër të përmirësimit të infrastrukturës rrugore. Kryetari i bashkisë së Krujës, Artur Bushi ndau sot në rrjetet sociale momente nga puna për rehabilitimin e kësaj rruge. “Padyshim, rruga e re do i japë një zhvillim të konsiderueshëm zonës, pasi në kodrën e Zgërdheshit shtrihet një nga qytetërimet ilire më të spikatura të antikitetit”, tha Bushi. Kryebashkiaku Bushi u shpreh se “pas “çlirimit” të qytetit antik nga pseudopronarët, gërmimeve arkeologjike, tabelimit orientues dhe shpjegues, asfaltimi i rrugës është një nga pikat kyçe për zhvillimin e zonës”. Ai shtoi se “pas përfundimit të punimeve do të ulen me ekipin e Ministrisë së Kulturës dhe ministren Elva Margariti, për të vijuar me planveprimin e rijetëzimit të qytetit të Albanëve”. I shtrirë mbi një kodër në jug të rrugës automobilistike që lidh Krujën me Fushë-Krujën, qyteti antik i Albanopolisit është një ndër dëshmitë historike më të rëndësishme të periudhës së antikitetit. Mbërritur në ditët tona si një rrënojë, kjo kështjellë i ngjitet shpatit të një kodre, karakteristikë kjo e qytetërimeve të hershme ilire.https://ata.gov.al/2022/10/24/nis-rehabilitimi-i-rruges-se-albanopolisit-ne-kruje/