Futbollisti brazilian Neymar da Silva Santos Junior mbërriti në gjykatë në Barcelonë, ku do të ballafaqohet me akuzat për korrupsion dhe mashtrim për transferimin e tij në FC Barcelona gati një dekadë më parë. Vetëm një muaj para fillimit të Kupës së Botës në Katar, prokurorët spanjollë kërkojnë dënimin e Neymar-it me deri dy vjet burg dhe një gjobë prej 10 milionë eurosh. Sulmuesi brazilian në gjykatë u paraqit me prindërit e tij, dy ish-presidentët e FC Barcelonës, Sandro Rosell dhe Josep Maria Bartomeu, si dhe ish-udhëheqësin e ekipit brazilian Santos, të cilët gjithashtu përballen me akuza rreth transferimit. Po ashtu edhe vetë FC Barcelona është në gjyq, pasi prokurorët pretendojnë se ekipi duhet të paguajë një gjobë prej 8,4 milionë euro për shkelje të ligjeve. Akuzat për korrupsion të supozuar datojnë që nga transferimi i Neymar-it në vitin 2013 nga klubi brazilian FC Santos në klubin spanjoll FC Barcelona. Prokurorët spanjollë dhe kompania braziliane DIS, e cila zotëronte 40 për qind të të drejtave të Neymar-it në atë kohë, argumentojnë se ka pasur marrëveshje të fshehtë midis FC Barcelonas, FC Santosit dhe Neymar-it për të fshehur shumën e vërtetë që klubi spanjoll pagoi për lojtarin. Dyshohet se Neymar ishte përfshirë në nënshkrimin e një kontrate prej 40 milionë eurosh me FC Barcelonën në 2011 para se të gjendej në treg. Sipas DIS, skema ka shkelur rregullat e FIFA-s, që nënkupton se lojtari dhe ata që zotëronin të drejtat e tij nuk kanë mundur të merrnin marrëveshjen më të mirë në tregun e lirë. Avokatët e DIS-it thonë se Neymar duhet të dënohet me pesë vjet burg dhe të mos lejohet të luajë futboll gjatë të njëjtës periudhë kohore.
Neymar përfundon në gjykatë me akuzën për korrupsion dhe mashtrim
RELATED ARTICLES