Ndikimi ekonomik i luftës në Ukrainë është i ashpër për aleatët e saj, tha zonja e parë e Ukrainës për BBC-në, por, sipas saj, ndërsa britanikët “numërojnë qindarkat”, ukrainasit “numërojnë viktima”. Olena Zelenska tha se nëse mbështetja për Ukrainën do të ishte më e fortë, kriza do të ishte më e shkurtër. Në një intervistë të regjistruar në Kiev, ajo tha se ishte e rëndësishme që të vazhdohej të theksohej numëri i humbjeve të jetës në këtë luftë. Zelenska tha se ajo rrallë e shikon burrin e saj, por flasin çdo ditë. Zonja e parë, e cila është e martuar me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky që nga viti 2003, foli me gazetaren e BBC-së Laura Kuenssberg në Pallatin Presidencial në Kiev. Në një intervistë të gjerë që do të transmetohet të dielën më 4 shtator, zonja Zelenska u pyet se çfarë mesazhi kishte për britanikët që po përballen me rritjen e faturave të energjisë, pjesërisht për shkak të pushtimit rus të Ukrainës dhe ndikimet globale që ka pasur në çmimin e gazit dhe të naftës. “Unë e kuptoj se situata është shumë e vështirë. Por më lejoni të kujtoj se në kohën e pandemisë Covid-19, kur pati rritje çmimesh, u prek edhe Ukraina. “Çmimet po rriten edhe në Ukrainë, por përveç kësaj njerëzit tanë vriten. “Kështu që kur filloni të numëroni qindarkat në llogarinë tuaj bankare ose në xhepin tuaj, ne bëjmë të njëjtën gjë, por duke numëruar viktimat tona,” tha ajo. Komentet e zonjës Zelenska pasojnë sugjerimin e kryeministrit Boris Johnson gjatë vizitës në Kiev muajin e kaluar se familjet në të gjithë Evropën do të duhet të durojnë krizën e kostos së jetesës dhe të “qëndrojnë në kursin” me Ukrainën për të kundërshtuar agresionin e Rusisë. Në Mbretërinë e Bashkuar, norma e inflacionit parashikohet të arrijë nivelin më të lartë të 42 viteve prej 13.3% këtë vit, ndërkohë që ekonomia pritet të tkurret për më shumë se një vit. Banka e Anglisë tha se arsyeja kryesore për inflacionin e lartë dhe rritjen e ulët ishte rritja e faturave të energjisë, të nxitura nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia. Vendet evropiane kanë akuzuar Rusinë, një furnizues kryesor global i energjisë, për përdorimin e gazit si armë, duke kufizuar furnizimet në përgjigje të sanksioneve.https://lajme.rtsh.al/artikull/olena-zelenska-ndersa-britania-numeron-qindarkat-ne-numerojme-viktimat