Specia njerëzore ka treguar gjatë historisë një aftësi të madhe për t’u përshtatur, por sipas gjeologut dhe studiuesit italian Mario Tozzi, kjo nuk do të jetë e mjaftueshme për të përballuar verat gjithnjë e më të nxehta, sipas “Corriere della Sera”.
Ai thekson se njerëzit nuk janë ndër speciet më të afta për t’u përshtatur biologjikisht dhe se deri tani kanë mbijetuar falë teknologjisë, e cila shpesh ka një kosto të lartë mjedisore.
Si shembull ai përmend kondicionerët, që freskojnë ambientet e brendshme, por njëkohësisht lëshojnë nxehtësi jashtë, duke rritur temperaturën në qytete, ndërsa pemët e përthithin atë nxehtësi dhe ndihmojnë në uljen e temperaturave.
Tozzi vlerëson se zgjidhja afatgjatë duhet të nisë me transformimin e qyteteve.
Sipas tij, shtimi i gjelbërimit, mbjellja e pemëve, zvogëlimi i sipërfaqeve të betonizuara dhe rikthimi i tokave të depërtueshme janë masa që mund të zbusin efektet e valëve të të nxehtit.
Ai sjell si shembull Parisin, ku janë krijuar pyje urbane në disa sheshe, dhe Medellínin në Kolumbi, ku janë mbjellë rreth 200 mijë pemë dhe janë ndërtuar 35 korridore të gjelbra që lidhin pjesë të ndryshme të qytetit.
Sipas tij, nuk mjafton të shtohen elementë të izoluar natyrorë, por duhet krijuar një rrjet i vazhdueshëm gjelbërimi.





