Saturday, November 23, 2024
HomeSOCIALEEKONOMINdërtimet pa leje do shemben

Ndërtimet pa leje do shemben

Kryeministri Edi Rama u bëri sot thirrje ndërtuesve që të parablejnë ndërtimet pa leje ose t’i dhurojnë ato, ndërsa paralajmëroi se “duhet të harrojnë se mund të bllokojnë pronën duke korruptuar gjyqtarët pasi do të shuhen si aktorë ekonomikë”. Kryeministri tha se “është e papranueshme që të lulëzojnë katet dhe shtesat pa leje në pallatet që të kamurit ndërtojnë sa në det, sa në rërë, sa dhe në mes të Tiranës”. “Sa dhe këtu ngjitur me sheshin ‘Skënderbej’ që vetëm nuk bërtet pallati, “shihni sa u zgjata o njerëz me mendje të shkurtër”, pa i hyrë gjemb në këmbë. Përkundrazi, gjembat më hyjnë mua të parit që jam aksioner me gjithë këta dhe gjembat pastaj më keq akoma, ju hyjnë atyre njerëzve në fshat me duart me kallo që i kap me zell të madh Policia për një mur avllie pa leje apo për një ndryshim çatie pa leje, apo deri dhe qytetarë që, rast konkret, i kapur për shtrim pllakash pa leje”, tha Rama. Kryeministri theksoi se “ky është kontrasti më i neveritshëm që mund të bëhet”. “Kjo kërkon një adresim të menjëhershëm, të pamëshirshëm, qoftë ndaj këtyre pasunarëve që kanë miliona për kate e për llaç e për tulla e që duhen zmbrapsur menjëherë matanë vijës së kuqe të ligjit, sepse e kanë bërë vijën e ligjit si një litar që kërcejnë me lloj-lloj marifetesh, qoftë dhe ndaj punonjësve të policisë dhe inspektorëve të lloj-llojshëm, që qytetarëve u tregojnë dhëmbët, ndërsa pasanikëve iu puthin këmbët për ca lekë të qelbura”, tha Rama. Sipas tij, “Policia e Shtetit duhet të angazhohet fuqishëm dhe të mbështesë një operacion të drejtuar nga Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit, në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, me Entin Kombëtar të Banesave, me bashkitë e përfshira, duke filluar nga bashkia e Tiranës”. “Bazuar në vendimin e sotëm të Këshillit të Ministrave, me synim shembjen ose konfiskimin për interes publik të të gjitha sipërfaqeve në pallate, qendra biznesi, hotele të ndërtuara në shkelje të ligjit. Këtë shkruan ligji dhe kjo nuk është zbatuar. Të gjitha katet apo metrat katrorë që do të konfiskohen do të shkojnë për strehim social apo për mjedise pune për institucionet, se kemi akoma institucione që rrinë me qira. Paguajnë qira nga lekët e taksapaguesve ndërkohë që nga 4 apo 5 mijë metra katrorë janë këtu, ngjitur me sheshin Skënderbej, në vend perfekt. Do t’i marrim, ose do të na i japin”, shtoi ai. Rama i bëri thirrje ndërtuesve të përfshirë në këtë çorbë në kurriz të ligjit, që as të mos tentojnë fare të përdorin blerësit apo klientët. “Blerësit e apartamenteve apo klientët e zyrave apo të hoteleve si pengje. As mos mendojnë se ka rrugëdalje tjetër përveç asaj të ligjit, i cili thotë se ndërtimet pa leje, me qëllim fitimi, nuk flasim për fshatarët që ndërtojnë murin e avllisë midis shtëpisë dhe fermës, nuk flasim për qytetarët që shtrojnë pllaka, flasim për milionerët që ndërtojnë pallate, që ndërtojnë kate pa leje, që hapen majtas e hapen djathtas, shemben ose konfiskohen për interes publik plus paguhet gjobë, plus shkohet në ndjekje penale. I ka të gjitha bashkë. E kemi miratuar pak kohë më parë por jo aq pak sa të mos kishte hyrë akoma në zbatim”, tha ai. Rama informoi se sot në vendimin e qeverisë iu kemi dhënë të drejtën e parablerjes së metrave katrorë jashtë lejes me çmimin real të tregut jo me atë çmimin që shkojnë deklarojnë atje. “S’është ai. Me çmimin real të tregut, ashtu sikundër i kemi dhënë dhe mundësinë ta dhurojnë si një mënyrë për të larë pjesërisht mëkatin, ta dhurojnë për popullin dhe për shtetin çdo kat dhe çdo metër katror shtesë që kanë që t’i krijojnë mundësinë ligjërimit të objektit që do përdoret për të pastrehët apo do përdoret për mjedise pune për shtetin pa shkuar ata vetë në ndjekje penale. Mund të thonë shiko se këtë e kam shitur, nëse e ke shitur, blije dhe do e blesh nga populli që përfaqësohet nga shteti dhe vazhdo jepja pastaj klientit. Do shkojë shtrenjtë, por o kështu, ose shko përballu me ligjin, do paguash dhe gjobën dhe do të konfiskohet. Pra fondi, ai që do të mblidhet do të shkojë për shpronësime, shpronësimet tek unaza e re duan lekë, këto lekë këtu nuk mjaftojnë për të gjitha, por një pjesë”, tha ai. “Dhe nëse këta shkelës milionerë do përdorin ndonjë gjykatës së korruptuar për të bllokuar konfiskimin me ato teknikat e sigurimit të padisë siç ka ndodhur me disa raste që s’dua të zgjatem këtu që janë skandaloze, një gjë është e sigurt, ata do bllokojnë veten e tyre në çdo derë të këtij shteti dhe do shuhen si aktorë ekonomikë. Do kenë pasoja shumë më të renda sesa humbja apo riblerja apo dhurimi kateve apo i metrave shtesë që as iu takojnë fare, ia kanë marrë qiellit, ia kanë marrë hapësirës anash që s’është e tyre fare”, siguroi Kryeministri. “Boll më ndërto me teorinë e faktit të kryer, korrupto policin korrupto dhe inspektorët dhe në fund futi një legalizim fitimeve marramendëse në rrugë të paligjshme. S’do ketë më kurrë legalizime për kate apo metra katrore pa leje për qëllim fitimi, kurrë, ta harrojnë. Afati ligjor i legalizimit ka skaduar me kohë dhe godinat apo shtesat e ndërtuara pa leje ose ato që janë në ndërtim e sipër vetëm mund të shemben ose të konfiskohen në rast se nuk para blihen apo dhurohen”, shtoi ai. Rama kërkoi që Agjencia e Mbikëqyrjes Policore duhet të hapë hetimet për të gjithë punonjësit e policisë që mbulojnë zonat ku janë ndërtuar gjithë këto kate dhe sipërfaqe pa leje. “Nga gjithë puna e bërë për mbledhjen e materialeve në terren del që ka edhe një pallat komplet pa leje në Tiranë, pallat 7 a 8 kate, se nuk më kujtohet, dhe natyrisht që shefi i komisariatit në zonën që është ndërtuar ai pallat, s’ka se si të jetë shef komisariati, nuk ka se si. Lartohet përpara syve të të gjithëve një pallat pa leje dhe s’i hyn gjemb në këmbë. Natyrisht ai pallat tani ose do shembet, ose do konfiskohet, ose nuk e di, po çështja është që ka një zinxhir. Unë i mirëkuptoj njerëzit që thonë se pse u kujtuar tani por në fakt ne nuk jemi kujtuar tani, fare, ne jemi kujtuar që ditën e parë që kemi ardhur në këtë detyrë dhe edhe këtu në këtë fushë ka shumë më pak shkelje sot se në të shkuarën, por kjo nuk është fare ngushëllim dhe zbatimin e ligjit në territor nuk e bën kryeministri e as ministri i brendshëm, as drejtori i përgjithshëm i Policisë, e bën trupa që është atje e ngarkuar të mbulojë territorin. Kemi vite tanimë që edhe këtë aspekt e mbulon Policia e Shtetit dhe ky operacion duhet të jetë aq i dhimbshëm për milionerët që janë përfshirë, se këta janë ata që bëjnë karshillëkun më të madh, këta janë ata që njerëzve u thuhet “ndajnë katet me mua”, se e kam edhe personale këtë betejë, dhe s’dua të përmend emra këtu, por asnjë emër nuk ka rëndësi, duhet që ky operacion të bëjë që asnjë të mos mendojmë më se mund të ndërtojë asnjë metër katror pa leje, se do t’i hyjnë ca halleve që nuk ia vlejnë fare”, tha ai.http://ata.gov.al/2022/09/07/rama-ndertimet-pa-leje-do-shemben-ose-konfiskohen-ne-rast-se-nuk-parablihen-apo-dhurohen/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments