Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi mori pjesë sot në ceremoninë e përmbylljes së vitit të Tiranës si “Kryeqyteti Evropian i Rinisë”, ku theksoi se “gjatë këtij vitit kemi ndërmarrë një sërë reformash, politikash për rininë”. Në fjalën e saj Kushi tha se “besoj që 8 dhjetori këtë vit nuk mund të vinte më bukur se kaq. Këtë vit morën lajmin e bukur të hapjes së negociatave për anëtarësim në BE. Viti 2022 u shpall nga KE si Viti i Rinisë, dhe Tirana u shpall Kryeqyteti Evropian i Rinisë, me rreth një mijë aktivitete dhe me mbi 105 mijë pjesëmarrës. Kemi ndërmarrë një sërë reformash, politikash për rininë si politika arsimore, siç ishte ndërkombëtarizimi i universiteteve, apo mbështetja studentore, por edhe shumë politika që lidhen shumë me punësimin e të rinjve. Me vetëpunësimin, me sipërmarrjen me Startup. E “qershia mbi tortë” ishte samiti i BE-së këtu në Tiranë para dy ditësh”. “Tirana dhe gjithë Shqipëria e ka ende të freskët atmosferën e dy ditëve më parë kur përjetuan një ngjarje të jashtëzakonshme, historike për Shqipërinë sepse BE-ja për herë të parë vendosi të zhvillojë në një vend jashtë BE-së një samit të këshillit. Fakti që zgjodhi pikërisht Shqipërinë, për ne është një vlerësim dhe nder i madh që duhet të na bëjë të gjithë ve të lumtur e krenarë, sepse përveç se është një ogur shumë i mirë për Shqipërinë dhe për shqiptarët, është dhe promovimi më i mirë që mund t’i bëhej Shqipërisë sonë të bukur dhe mikpritëse”, nënvizoi Kushi. Ministrja tha se “pas këtij samiti, të gjithë duhet të jemi dhe më të bashkuar, të majtë e të djathtë, i madh e i vogël, veri, jug, Tiranë e çdo qytet, për t’i treguar Evropës që ne jemi gati, jemi të bashkuar drejt rrugëtimit për në integrimin evropian”. “Në 8 dhjetor të vitit 1990 rinia dha një kontribut të pazëvendësueshëm për pluralizmin politik, për vendosjen e demokracisë, por edhe për të vulosur orientimin perëndimor dhe evropian të Shqipërisë. Por sot rinia shqiptare ka një rol dhe një mision edhe më të madh, që të kontribuojë edhe më shumë në zhvillimin ekonomik, social, kulturor, por edhe politik të Shqipërisë. Dhe programi Tirana, Kryeqyteti Evropian i Rinisë është një model i shkëlqyer bashkëpunimi, kontributi, dialogu dhe sinergjie midis të gjithëve bashkë”, nënvizoi Kushi. Kushi u shpreh se vitin e ardhshëm Tirana do të jetë Qyteti Evropian i Sportit. “Tirana do të nisë një tjetër rrugëtim, edhe më të bukur, edhe më energjik, edhe më dinamik, edhe më zhvillues. Dhe kjo do të jetë një tjetër mundësi e shkëlqyer për nxënësit tanë, studentë, të rinjtë që të angazhohen edhe më shumë në aktivitete sportive për një jetë sa më të shëndetshme, fizike dhe sociale. Në cilësinë e ministres së Arsimit dhe Sportit ofroj mbështetjen time maksimale që dhe ky projekt i madh të jetë një sukses i bukur për Tiranën tonë”, tha Kushi.https://ata.gov.al/2022/12/08/kushi-nderkombetarizimi-i-universiteteve-mbeshtetja-studentore-dhe-punesimi-disa-nga-nismat-e-ndermarra/