Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ka ndarë mbrëmë Çmimet Kombëtare të Letërsisë për vitin 2021, duke finalizuar kështu punën seleksionuese të nisur që në fillim të këtij viti. Në ceremoninë e organizuar ishte e pranishme edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti. “Çmimet kombëtare për letërsinë na mblodhën sërish në këtë prag festash. Mes miqsh shpallëm fituesit në 6 kategori, me urimin për më shumë krijimtari dhe nisma të bukura në mbështetje të njerëzve të letrave”, tha Margariti në një postim në rrjetet sociale. Me çmimin kombëtar të letërsisë, për kategorinë “Romani më i mirë i vitit” u vlerësua Agron Tufa me librin “Ngjizja e papërlyeme”, për një rrëfim mjeshtëror dhe një galeri të pasur personazhesh, ku gërshetohen së bashku historia, fantastikja dhe grotesku. Me çmimin kombëtar të letërsisë, për kategorinë “Libri më i mirë për fëmijë i vitit” u vlerësua Anila Kadija me librin “Ninulla e zemrës”, për një vepër me figuracion e ligjërim të pasur, që përcjell dashurinë për gjuhën dhe botën shqiptare. Me çmimin kombëtar të letërsisë, për kategorinë “Vëllimi më i mirë poetik i vitit” u vlerësua Visar Zhiti me librin “Dorëshkrimet e burgut”, për një vepër të shkruar në rrethana dramatike, që rrezaton humanizëm dhe vlera të larta artistike. Me çmimin kombëtar të letërsisë për kategorinë “Përkthimi më i mirë i vitit” u vlerësua Saverina Pasho, me librin “Njeriu i parë”, për përkthimin mjeshtëror të një vepre me ligjërim të ndërlikuar dhe përcjelljen e përmasës universale të artit të Kamysë. Me çmimin kombëtar të letërsisë për kategorinë “Vepra më e mirë studimore letrare e vitit” u vlerësua Persida Asllani dhe Dhurata Shehri me librin “Për një histori të krahasuar të letërsisë shqipe”, për një qasje ndryshe ndaj zhvillimit letrar përmes zbatimit të metodës krahasimtare në rikonceptimin e historisë së letërsisë shqiptare. Ndërsa me çmimin kombëtar të letërsisë, për kategorinë “Vëllimi më i mirë me tregime i vitit”: Durim Taçi me librin “Nga një derë tjetër”, për teknikat e tregimtarisë moderne dhe përvijimin e kronikës letrare të kohës sonë, duke u përqendruar në filozofinë e ballafaqimit me tjetrin.ata