Friday, November 22, 2024
HomeSOCIALEKOSOVANATO : Lidhjet e Mark Rutte-s me Kosovën ndër vite

NATO : Lidhjet e Mark Rutte-s me Kosovën ndër vite

Te kryeministri i Holandës, Mark Rutte, autoritetet në Kosovë shohin një partner me të cilin mund të bisedojnë për një gamë të gjerë çështjesh – nga avancimi i vendit në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian deri te siguria dhe stabiliteti afatgjatë. Në krye të Qeverisë holandeze nga viti 2010, Rutte pritet të konfirmohet në pozitën e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s brenda ditësh. Vizitën e fundit në Kosovë e zhvilloi korrikun e kaluar, kur së bashku me homologun e atëhershëm nga Luksemburgu, Xavier Bettel, i bënë thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’i ulnin tensionet dhe t’i ktheheshin dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Tensionet mes dy vendeve ishin në kulm, pasi në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, pushtetin e morën kryetarët e zgjedhur shqiptarë. “U bëjmë thirrje të dyja palëve që të marrin pjesë në dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian, ta shtensionojnë situatën dhe përfundimisht t’i normalizojnë marrëdhëniet”, shkroi Rutte atëkohë në platformën X. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cilësoi takimin me dy udhëheqësit evropianë si mundësi për të diskutuar “përpjekjet për forcimin e bashkëpunimit, avancimin në rrugën drejt BE-së dhe përkushtimin e përbashkët për paqen, sigurinë dhe stabilitetin afatgjatë në kontinent”. Holanda ishte në mesin e shteteve që e njohën pavarësinë e Kosovës brenda muajit të parë pas shpalljes, më 2008. Atëkohë kryeministër ishte Jan Peter Balkenende. Rutte mori detyrën e kryeministrit mbi dy vjet më vonë – në tetor të 2010-ës. Në dhjetor të 2013-ës, ai priti në zyrën e tij presidenten e atëhershme të Kosovës, Atifete Jahjaga, së cilës i shprehu mbështetjen e Holandës për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit mes Kosovës dhe BE-së. Kjo marrëveshje – e para kontraktuale mes dy palëve – u nënshkrua në vitin 2015. Qeveria e Ruttes, për një periudhë të caktuar, ishte kundërshtare e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, së bashku me atë të Francës. Një qëndrim i tillë i nxiti dhjetëra deputetë të Parlamentit Evropian t’i shkruanin letër Ruttes dhe presidentit të Francës, Emmanuel Macron, në vitin 2020, për t’iu kërkuar dritën jeshile për lëvizjen e lirë të kosovarëve. Nga ajo kohë, procesi kaloi në disa faza dhe vizat u hoqën nga 1 janari i këtij viti. Presidentja e Kosovës, Osmani, takoi për herë të fundit Rutten këtë javë, në margjina të një samiti për paqen në Ukrainë, që u mbajt në Zvicër. “Samiti ishte një mundësi e shkëlqyer për të biseduar me kryeministrin holandez, Mark Rutte, për rëndësinë e së ardhmes euroatlantike të Kosovës”, shkroi Osmani në X. Këta dy udhëheqës u takuan edhe në samitin e Komunitetit Politik Evropian, i cili u mbajt në tetor të vitit të kaluar në Granadë të Spanjës. Osmani tha se në atë takim është folur për situatën e sigurisë në Kosovë, pas sulmit të armatosur të një grupi serbësh në pjesën veriore të vendit. Në 2021-shin, ata patën një shkëmbim edhe në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, me ç’rast Osmani tha se është mirënjohëse për “mbështetjen dhe bashkëpunimin” e Ruttes.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments