Vizitorët do të kenë mundësinë të shohin edhe një kopje në përmasa reale, të Zyrës Ovale.

Sipas Michael Strautmanis, drejtues i komunikimit korporativ dhe politikave në “Obama Foundation”, ish-presidenti Obama ka ndihmuar në hartimin e konceptit të muzeut dhe tregon interes të veçantë për përmbajtjen e ekspozitave që do t’u prezantohen vizitorëve, por në përgjithësi u ka lënë ekspertëve lirinë për të kryer punën e tyre.

Përveç muzeut, kompleksi prej rreth 7,8 hektarësh do të përfshijë një forum, një sallë shumëfunksionale dhe një pjesë të bibliotekës publike të qytetit.

Vendosja e muzeut në “Jackson Park” nuk ishte rastësore. Bashkëshortja e Obama-s, Michelle Obama, është rritur në pjesën jugore të Çikagos, ku çifti u martua dhe ku lindën dy vajzat e tyre, Malia dhe Sasha.

Obama dha mësim për 12 vjet në Universitetin e Çikagos dhe pikërisht, në jug të qytetit nisi karrierën e tij politike, e cila e çoi më vonë në Shtëpinë e Bardhë, si presidenti i 44-t i SHBA-së.