Muzeu Etnografik i Elbasanit do të qëndrojë i mbyllur për një periudhë prej 4 deri në 6 muaj, për shkak të punimeve të restaurimit, të nevojshme për të ruajtur trashëgiminë kulturore të qytetit. Gjatë kësaj kohe, muzeu do t’i nënshtrohet përmirësimeve strukturore dhe estetike, me synimin për të ofruar një përvojë më të pasur dhe më të sigurt për vizitorët në të ardhmen.
Ky është rikonstruksioni më i plotë që është kryer ndonjëherë.
Kliton Kapaj, drejtori i këtij muzeu, është shprehur për mediet se do të fillojnë me meremetimet më emergjente që është çatia, dritaret dhe pjesa e fasadës, më pas do të ketë dhe punime të brendshme të cilat kërkojnë më shumë kohë me specialistët e restaurimit.
Restaurimi i godinës ishte i nevojshëm pasi objekti i trashëgimisë kulturore rrezikonte degradimin. Muzeu Etnografik i Elbasanit është ndërtuar në vitet 1983-86 kur është bërë inaugurimi i tij, dhe që nga ajo kohë nuk ka pasur ndërhyrje apo restaurime thelbësore.
Muzeu Etnografik i Elbasanit mbart brenda një pasuri të çmuar të historisë së qytetit dhe vizitohet nga qindra e mijëra turistë. Vetë ndërtesa e muzeut etnografik tregon zhvillimin e hershëm urban të Elbasanit.