Presidenti panamez, Jose Raul Mulino përjashtoi çdo negociatë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Kanalin e Panamasë, pasi presidenti Donald Trump tha se SHBA do të rimerrte rrugën ujore.

“Unë nuk mund të negocioj, aq më pak të filloj një negociatë për kanalin”, tha Mulino në konferencën e tij javore për shtyp.

“Kjo çështje është e mbyllur. Kanali është i Panamasë”, theksoi ai.

Presidenti Mulino e tha këtë në prag të vizitës së sekretarit të ri të Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, në Amerikën Qendrore.

Javën e kaluar, një zëdhënëse konfirmoi udhëtimin, megjithatë pa përmendur vendet që Rubio do të vizitonte në udhëtimin e tij të parë jashtë vendit në këtë rol.

Sipas medias amerikane, nga fundi i kësaj jave janë planifikuar vizita në Panama, Guatemalë, Salvador, Kosta Rika dhe Republikën Domenikane.

Në fjalimin e tij të betimit më 20 janar, Trump pretendoi për Kanalin e Panamasë.

Që atëherë ai ka deklaruar qartë në disa raste se Shtetet e Bashkuara duhet të kenë kontrolle në rrugën e rëndësishme ujore, pretendime që Mulino i ka hedhur poshtë me vendosmëri.

Kanali prej 82 kilometrash lidh Atlantikun me Paqësorin në Amerikën Qendrore.

Ai u ndërtua në fillim të shekullit XX nga korpusi inxhinierik i ushtrisë amerikane.

Më 31 dhjetor 1999, SHBA ia dorëzoi administrimin e kanalit Panamasë.

Transaksioni u negociua nga presidenti i ndjerë, Jimmy Carter.