“Një lojë xhin” është vepra e vënë në skenën e Teatrit të Metropolit nga 2 yje të skenës dhe ekranit shqiptar: Yllka Mujo dhe Viktor Zhusti. Premiera e cila ishte mbrëmjen e djeshme, është mirëpritur nga publiku. Drama e D.P. Koburn “Një lojë xhin” me regjinë e Rozi Kostanit, solli dy të moshuar në një azil pleqsh, të cilët krijojnë një shoqëri të veçantë. Ndërsa luajnë lojërat e tyre të xhinit, ata përfshihen në biseda të gjata për familjet e tyre dhe jetën e tyre në botën e jashtme. Gradualisht, çdo bisedë bëhet një betejë, njësoj si lojërat e vazhdueshme të xhinit, pasi çdo lojtar përpiqet të ekspozojë dobësitë e tjetrit, të nënçmojë jetën e tjetrit dhe të poshtërojë tjetrin tërësisht. Muzika e shfaqjes u kurua nga mjeshtrja Suzana Turku, ndërsa skena dhe kostumet ishin të Beqo Nanaj. Pjesë e dramës u bënë edhe studentët e Universitetit të Arteve: Amela Rrukaj, Kejda Shqefni, Maria Brokshi, Ronaldo Kolgjokaj e Gesjon Selfo. Ky është bashkëpunimi i dytë mes regjisores Kostani dhe dyshes Mujo-Zhusti. Dy aktorët protagonistë kanë një bashkëpunim të gjatë mes tyre, si në teatër ashtu edhe në kinematografi. atsh