Dita-ditës po merr jetë qendra më e re dedikuar trashëgimisë kulturore. Në zonën e njohur si Mozaiku i Tiranës po ngrihet një qendër informimi për të gjithë mozaikët e Shqipërisë, me hapësira ekspozimi, ateliesh dhe edukimi. Së shpejti vizitorët vendas dhe të huaj do të kenë mundësinë që njëkohësisht të shohin gjetjen arkeologjike më të vjetër në kryeqytet, e po aty të gjejnë edhe informacion për mozaikët e tjerë anembanë Shqipërisë. Mozaiku i Tiranës mendohet të ketë qenë pjesë e një banese të tipit rural (vila rustica) të ndërtuar në shekullin I pas Krishtit. Mozaiku përmban motive gjeometrike e floreale por edhe motive tipike të Krishtërimit të hershëm, si gërsheti i stilizuar, rozetat e peshqit.