Moska ka emëruar sot gjeneralin e ushtrisë, Sergei Surovikin për të udhëhequr operacionin special ushtarak të Rusisë në Ukrainë, sipas zëdhënësit të Ministrisë së Mbrojtjes, Igor Konashenkov. Ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu emëroi Surovikin pasi kritikët kërkuan një riorganizim të trupave në Ukrainë duke pasur parasysh disfatat me të cilat u përballën forcat ruse, kohët e fundit. Analistët ushtarakë pranë Kremlinit e kanë kritikuar avancimin e trupave ukrainase në luftë duke e cilësuar atë si kaotik dhe katastrofik. “Gazetarët e luftës, komandantët në terren dhe “Grupi Wagner”, një forcë mercenare private ruse, e kanë mirëpritur emërimin Surovikin”, sipas raporteve të medias ruse. Surovikin ka përvojë të gjatë në luftëra, pas vendosjes së tij në Siri, dhe luftimeve në Çeçeni. I dalluar si “Hero i Federatës Ruse” për udhëheqjen e tij ushtarake, Surovikin u emërua komandant i Forcave Hapësinore në vitin 2017. Ai do të përballet me sfida të mëdha duke pasur parasysh sukseset e forcave të Kievit që po avancojnë me shpejtësi në rimarrjen e territorit ukrainas.