Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj zhvilloi një takim me ambasadoren e Austrisë në Shqipëri, Monika Zach, me të cilën pati një bisedë frytdhënëse për zgjerimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, sidomos në fushën e zhvillimit ekonomik dhe të biznesit.

Austria është një partner i rëndësishëm në mbështetjen e Shqipërisë drejt rritjes ekonomike dhe procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, theksoi Ibrahimaj,

Ministrja shtoi se një pikë tjetër e rëndësishme e diskutimit ishte përshtatja e modelit austriak të arsimit të dyfishtë dhe trajnimit profesional si një risi e ligjit të ri të Dhomës Ekonomike Kombëtare.

Ibrahimaj nënvizoi se, Shqipëria ka shumë për të mësuar edhe nga eksperienca dhe praktikat më të mira të Austrisë në mbështetjen e startup-eve.

“Për këtë dakordësuam bashkëpunim të mëtejshëm për nxitjen e inovacionit dhe zhvillimit afatgjatë të startup-eve shqiptare”, u shpreh ministrja në një postim në rrjetet sociale.