Të ardhurat e mbledhura në buxhet nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, gjatë periudhës janar-tetor, rezultojnë 177.1 miliardë lekë. Sipas raportit të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, mbi treguesit fiskal, të ardhurat nga TVSH në import, për 10 mujorin, rezultojnë 120.8 miliardë lekë, 8 miliardë lekë ose 6.2% më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë, si dhe 452 milionë ose 0.4% më pak se plani për 10 mujorin 2023. Të ardhurat nga TVSH -ja brenda vendit u realizuan në masën 40.4 miliardë lekë, 8.2 miliardë ose 25.4% më shumë se 10 mujori 2022, si dhe 0.5 miliardë ose 1.3% më shumë se plani i TVSH për t’u arkëtuar në 10 mujorin 2023. Rimbursimet për periudhën 10 mujore 2023 janë 15.9 miliardë lekë, 1.1 miliardë lekë ose 7.3% më shumë se 10 mujori 2022, si dhe 954 milionë lekë ose 6.4% më shumë se plani i rimbursimit të TVSH-së për 10 mujorin 2023. Sipas MFE-së, të ardhurat nga TVSH në import janë ndikuar ndjeshëm nga ndryshimet e forta të kursit të këmbimit, të cilat kanë ulur bazën e llogaritjes së TVSH-së për mallrat e importit. Rritja e TVSH-së për shkak të rritjes së volumeve të importit të mallrave nuk ka kompensuar uljen e ndjeshme të TVSH-së për shkak të zvogëlimit të bazës së llogaritjes së TVSH-së si rezultat i zhvlerësimit të euros dhe dollarit. Të ardhurat nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) në 2024-ën parashikohet të jenë rreth 211.2 miliardë lekë, 11.2 miliardë lekë ose 5.6% më shumë se pritshmëria për vitin 2023. Ministria e Financave dhe Ekonomisë renditi në projektbuxhetin e vitit 2024 edhe burimet e rritjes së TVSH-së. Konkretisht, MFE rendit si burime rritjen e të ardhurave nga TVSH që gjeneron rritja ekonomike shtesë dhe indeksi i çmimeve, rritjen e të ardhurave nga sektorë në ekspansion si turizmi, akomodimi dhe gjithë sektorët e tjerë të zinxhirit ekonomik që furnizojnë turizmin, si dhe përmirësimin e administrimit të TVSH-së nga sistemi i fiskalizimit dhe konsolidimi i faturimit elektronik.
MFE: 177.1 miliardë lekë në buxhet nga TVSH gjatë 10-mujorit
RELATED ARTICLES