Ministrja e Kulturës, Elva Margariti dhe kreu i bordit të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për zhvillim (AADF), Michael Granoff nënshkruan sot një Memorandum Mirëkuptimi për planin e zhvillimit të Kalasë së Beratit.
“Një tjetër hap të rëndësishëm hodhëm për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore”, shkroi Margariti në rrjetet sociale.
Sipas ministres Margariti, bashkëpunimi me një aktor kyç, Bashkinë e Beratit, do të krijojë balancat e duhura mes ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore, zhvillimit turistik dhe ekonomik si dhe mbështetjes së komunitetit që jeton në këtë lagje-muze.
Kalaja e Beratit është ndër të paktat kala mesjetare me një jetë intensive brenda mureve të saj. Ajo është një nga monumentet më të mëdha historike të Ballkanit, një fortesë e madhe që sundon mbi lumin Osum. Kalaja është ngritur sipas një plani në formë trekëndëshi. Kjo kala, po të shihet nga poshtë, duket si pjesë e kodrës.
Kulla e hyrjes së brendshme është e bërë nga blloqe guri, që u përkasin fortifikimeve ilire, të cilat janë ndërtuar në shekujt IV-II para Krishtit. Maja e kodrës është e rrethuar me një mur të jashtëm periferik me 24 kulla. Në brendësi të kësaj kalaje ndodhen rreth 14 kisha, të cilat e kanë bërë mjaft të dëgjuar atë.