Kryeministri Edi Rama Rama deklaroi sot se sezoni turistik në vend ishte surprizues jo vetëm për nga flukset e të ardhurave në ekonomi dhe të turistëve të huaj po ashtu, por edhe për sa i takon pastërtisë e shërbimeve publike. Gjatë një takimi të mbajtur në një nga strukturat e reja turistike, e mbështetur drejtpërdrejt nga programet e qeverisë për të stimuluar sipërmarrjet në sektorin e turizmit, në Lalz, Durrës Kryeministri tha se të ardhurat në buxhet nga ky sektor në fund të gjysmës së parë të vitit llogariten mbi 1 miliard lekë teksa foli për bilancin e sezonit turistik veror. “Pa diskutim që ne kemi pasur një sezon surprizues në aspektin e shifrave. Vetëm në 6-mujorin e parë kemi kaluar 1 miliard lekë të ardhura në ekonomi nga turizmi. Pothuajse dyfishin e vitit të mëparshëm. Kemi pasur fluks të vizitorëve. Deri në gusht kemi pasur 5.6 milionë turistë të huaj që është e barabartë me faktikisht 1.3 miliardë turistë më shumë se vitin e kaluar”, u shpreh Kryeministri. Rama tha se flukset e vizitorëve ishin të shpërndarë në të gjithë territorin. “Kemi pasur një diversifikim shumë domethënës nga veriu në jug dhe një prurje inkurajuese për zonën veriore falë edhe investimeve për të përmirësuar infrastrukturën drejt atyre pikave më tërheqëse”, u shpreh Rama. Një tjetër veçori e këtij sezoni turistik, sipas kryeministrit ishin edhe vizitat në qytete. “Ky sezon ka sjellë vizitorë të shumtë në qytete. Duke filluar nga Tirana, ku patëm një bum turistësh. Hotelet ishin plot, por kemi edhe numër të madh apartamentesh të marra me qira, përmes agjencive dhe në rrugë digjitale”, tha ai. Kryeministri u ndal dhe në kontributin e sektorit të turizmit në PBB. “Kur ne e kemi nisur punën për të transformuar Shqipërinë në një vend turistik, turizmi kontribuonte me vetëm 4 % në PBB. Sot ai kontribuon 17 %. Shumë kush e ka harruar se kemi pasur një turizëm krejtësisht primitiv dhe jashtë çdo lloj standardi të konkurrencës në këtë mjedis gjeografik që Shqipëria ka fatin, por edhe peshën e madhe të vështirësisë mes lojtarësh botërore si Italia e Greqia, ashtu si dhe mes lojtarësh rajonal si Mali I Zi apo Kroacia”, deklaroi Kryeministri. Rama theksoi faktin se Shqipëria deri para 30 vitesh ishte një vend pa turizëm, me detin krejtësisht të ndaluar. “Sot pjesëmarrja e këtij sektori në volumin e PBB-së është 17 % për të gjithë ata që për 1 mijë e një arsye refuzojnë të njohin progresin dhe kanë kujtesën e shkurtër, kemi qenë një vend që bënim lajm për pisllikun”, deklaroi Rama.