Policia e Përmetit u ka ardhur sot në ndihmë dy turistëve francezë dhe një të moshuari shqiptar të cilët kishin mbetur të bllokuar në kanionin e Langaricës. Policia informon se, rreth orës 16:15, në sallën operative Përmet ka ardhur një telefonatë se dy turistë francezë, duke eksploruar me këmbë zonën e kanionit të Langaricës, në Përmet, kanë mbetur të bllokuar në pjesën e kanionit, për shkak të rritjes së nivelit të ujit në lumin e Langaricës, nga reshjet e shiut. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Përmet janë nisur në drejtim të zonës ku kishin mbetur të bllokuar turistët. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Përmet, në bashkëpunim me shërbimet zjarrfikëse dhe punonjësit e subjektit privat “Vjosa Explorer”, kanë ndërhyrë në zonë dhe kanë bërë të mundur lokalizimin e turistëve, në kanionin e Langaricës. Gjatë kërkimit për 2 turistët francezë, i është dhënë ndihmë dhe një shtetasi të moshuar, i cili gjithashtu kishte mbetur i bllokuar në këtë zonë. Punonjësit e Policisë, së bashku me shërbimet zjarrfikëse dhe punonjësit e “Vjosa Explorer”, i kanë nxjerrë 2 turistët dhe shtetasin e moshuar nga terreni i vështirë ku ishin bllokuar dhe më pas u është ofruar kontrolli mjekësor. Aktualisht ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.http://ata.gov.al/2022/08/11/mbeten-te-bllokuar-ne-kanionin-e-langarices-shpetohen-dy-turiste/