NASA ka zbuluar materien organike më komplekse të gjetur ndonjëherë në sipërfaqen e Marsit, një avancim në studimin për gjurmë të mundshme të jetës në Planetin e Kuq, zbuluan shkencëtarët. Roboti “Curiosity” ka zbuluar gjithashtu prova të ndryshimeve sezonale në flurimet e metanit duke theksuar se burimi i këtij gazi, që është shpesh shenjë e aktiviteteve biologjike, vjen nga vetë planeti. Metani mund të jetë mbledhur në pllakat e akullit nën sipërfaqe. Mostrat e materies organike, që vijnë nga shkëmbinjtë 3,5 miliardë vjeçarë, u zbuluan në pesë centimetra thellësi në bazën e malit Sharp, në brendësi të kraterit Gale, konsideruar si një liqen i lashtë. “Ky është një avancim domethënës sepse thekson se materia organike është ruajtur në mjediset më të vështira të Marsit”, deklaroi autorja kryesore e një prej dy studimeve të publikuara në revistën “Science”, astrobiologia, Jennifer Eigenbrode, nga qendra e Agjencisë Hapësinore Amerikane. “Ndoshta ne mund të gjejmë diçka të ruajtur më mirë që përmban një nënshkrim të jetës”, theksoi ajo. “Curiosity”, që u vendos në Planetin e Kuq në vitin 2012, kishte zbuluar tashmë në 2014 materien organike në sasi të vogla. “Ky studim tregon në detaje zbulimin e përbërjeve organike komplekse dhe të diversifikuara në sedimente. Kjo nuk do të thotë se ka jetë, por përbërjet organiKe janë gurët për ndërtimin e jetës”, theksoi bashkautori, Sanjeev Gupta, profesor i shkencës së Tokës në “Imperial College” të Londrës. “Mostrat e materies organike mund të vijnë nga një meteorit apo formacion gjeologjik ekuivalent me qymyrin apo rreshpën e zezë që ndodhet mbi Tokë, ose nga një formë jete”, nënvizoi Eigenbrode. “Krateri Gale është një vend i mirë për jetës nëse ka ekzistuar ndonjëherë në Mars”, theksoi ajo. “Analiza nga laboratori francez SAM (Sample Analysis at Mars) sjellë nga roboti “Curiosity” ka zbuluar disa molekula organike të avullueshme që kujtojnë ato të ndodhura në Tokë, tiofen, metiltiofen 2 dhe 3, metanetiol dhe dimetilsulfur”, sipas studimit. “Këto zbulime synojnë të mbështesin tezën që me shumë gjasa jeta ka ekzistuar në Mars”, theksoi Inge Loes ten Kate, nga Universiteti i Tubingen në Gjermani.
Materie organike në Mars
RELATED ARTICLES