Më 19 prill përfundon afati për të aplikuar për masat mbështetëse të Skemës Kombëtare në Bujqësi 2024, ku deri tani me numrin më të lartë të aplikantëve kryesojnë qarqet Fier dhe Korçë. Drejtori i Politikave në Ministrinë e Bujqësisë Irfan Tarelli, u shpreh për mediet se, risi këtë vit është mundësia e krijuar për mbështetjen e fermerëve të vegjël, të cilët mund të bëhen pjesë e skemave të financimit duke aplikuar si “grup fermerësh”. Sipas tij, deri tani janë regjistruar 250 kërkesa në grup fermerësh, ndërkohë që janë shënuar rreth 62 mijë aplikime.
Udhëzimi për Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2024 përcakton që pas përfundimit të afatit të aplikimeve, nis edhe verifikimi i çdo kërkese dhe i dokumentacionit përkatës. Nga buxheti i shtetit 2024, janë rreth 3.3 miliardë lekë që do të alokohen për mbështetjen e fermerëve, ku 1.2 miliardë lekë prej tyre shkon për naftë dhe 2.1 miliardë lekë, të tjera për blegtorinë, bimët mjekësore dhe serrat.