Nënshkrimi i marrëveshjes është një hap i rëndësishëm në rrugën drejt integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor me sistemin financiar të Bashkimit Evropian.

Çfarë janë pagesat e shpejta?

Pagesat e shpejta kryhen nëpërmjet një sistemi pagesash që ofron shërbim të vazhdueshëm 24 orë në ditë/365 ditë në vit dhe mundëson realizimin e tyre në pak sekonda. Me transfertat e rregullta bankare zakonisht duhet të paktën një ditë pune që paratë të arrijnë në llogarinë bankare të marrësit; ndërsa me pagesat e shpejta, transferimi i parave është pothuajse i menjëhershëm midis llogarive bankare.

Çfarë përfitimesh sjell për qytetarët?

Pagesat e menjëhershme iu lejojnë qytetarëve dhe bizneseve të paguajnë dhe të marrin pagesa në mënyrë të menjëhershme dhe efikase. Përdorimi i pagesave të shpejta mund t’i kursejë qytetarëve, bizneseve, aktorëve të tregut dhe ekonomisë shqiptare, rreth 35 – 40 miliardë lekë.

Çfarë përfitimesh sjell për ekonominë?

Adoptimi i një sistemi pagesash të shpejta sjell një sërë përfitimesh në nivel kombëtar, duke filluar me nxitjen e efikasitetit të ekonomisë, rritjen e përfshirjes financiare dhe reduktimin e ekonomisë informale. Sipas parashikimeve të Bankës së Shqipërisë, sistemi i pagesave të shpejta do të sjellë një rritje drastike të pagesave elektronike në tregun shqiptar.

Sipas Bankës Ndërkombëtare të Rregullimeve, ekonomitë që adoptojnë sisteme pagesash të shpejta, përjetojnë një rritje të PBB-së prej 0.5-1%, për shkak të cikleve më të shpejta të transaksioneve dhe përfshirjes së zgjeruar financiare.

Përfitime të tjera

Ky projekt përbën një hap të suksesshëm në përmbushjen e angazhimeve të Bankës së Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe shtron rrugën për hapat e radhës të konvergjencës ekonomike, si dhe ndihmon në digjitalizimin e mëtejshëm të pagesave në Shqipëri.