Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja dhe ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, Ruth Huber nënshkruan një marrëveshje për zbatimin e një projekti, i cili ka në fokus ngritjen e shkollës së ekselencës në drejtimin e Hoteleri-Turizmit në Tiranë. Gonxhja tha se marrëveshja u nënshkrua falë diskutimeve me Shkollën e Hotelerisë së Lozanës (EHL). “Ky proces, i cili do të shtrihet në disa hapa duke nisur me formulimin dhe përshtatjen e programeve të studimit, e që do të plotësohet edhe me të gjithë infrastrukturën e nevojshme. Nxënësit dhe kursantët që do të jenë pjesë e kësaj shkolle do të diplomohen sipas Diplomës Profesionale të njohur nga EHL”, nënvizoi Gonxhja.
Ministri Gonxhja tha se këtë projekt synojmë ta shtrijmë edhe në shkollat e tjera të vendit. Duke cilësuar ambasadoren Huber një partnere të shkëlqyer të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Gonxhja tha se “me ambasadoren Huber diskutuam mbi ecurinë e projekteve të shumta në proces dhe mundësitë e bashkëpunimit të mëtejshëm midis dy vendeve tona”. “Arsimi dhe formimi profesional, si kurrë më parë kanë sot vëmendjen tonë të plotë. Portofoli i gjerë i projekteve të bashkëpunimit midis Zvicrës dhe Shqipërisë në zhvillimin ekonomik, inovacionit, hapat e nevojshëm drejt një ekonomie më solide dhe formale, arsimin profesional dhe kulturë, ishin gjithashtu në fokus të bisedave”, tha Gonxhja.