Në Tiranë u nënshkrua sot marrëveshja për zhvillimin e projektit “Durrës Yacht & Marina”, investimi më i madh i huaj në historinë e vendit. Me vlerë rreth 2 miliardë euro, ky projekt i rëndësishëm turistik do të transformojë rrënjësisht Durrësin, duke e vendosur në radhën kryesore të destinacioneve turistike në Mesdhe, me një impakt të thellë ekonomik, jo vetëm për qytetin bregdetar, po për të gjithë rajonin. Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes ishte i pranishëm kryeministri Edi Rama, zv/kryeministrja, njëkohësisht ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, si dhe Mohamed Alabar përfaqësuesi i Eagle Hills Real Estate Development. Projekti gjigant, i cili do të shtrihet në 450 hektarë dhe do të çelë përgjatë gjithë zhvillimit të tij 12 mijë vende të reja pune, është finalizimi i një rruge të gjatë pune voluminoze, në aspektin tekniko-ligjor, me një investitor të madh strategjik prestigji i të cilit është botërisht i njohur. Ky investim, i pari i këtij lloji për nga rëndësia ekonomike zhvillimore, por edhe për pjesëmarrjen e shtetit si bashkëzhvillues, në një Partneritet korrekt Publik, Privat parashikon krijimin e një kompanie të përbashkët, ku shteti është aksionar në masën 33% dhe ka të gjitha benefitet e një aksionari në të ardhura dhe fitim, pa patur asnjë kontribut financiar në zhvillim.ATSH