”Manchester United” ka njoftuar planet për një stadium të ri 100 000 vendesh, që bashkëpronari sër Jim Ratcliffe thotë se do të jetë stadiumi më i madh i futbollit në botë.

Klubi i Premier League ka qenë duke shqyrtuar nëse do të rizhvillojë stadiumin në Old Trafford ose do të ndërtojë një stadium të ri.

”United” tani ka konfirmuar synimin për të ndërtuar një stadium të ri 100 000 vendesh si qendra e rigjenerimit të zonës së Old Trafford.

Ratcliffe vlerësoi se një stadium i ri do të kushtonte rreth dy miliardë paund (2,6 miliardë dollarë) kur ai e diskutoi atë vitin e kaluar dhe shefi ekzekutiv i ”United”, Omar Berrada tha sot se ishte mjaft i sigurt se klubi do të ishte në gjendje të siguronte financimin për projektin.

Modele të shkallëzuara dhe imazhe konceptuale se si mund të duken Old Trafford-i i ri dhe zona përreth u zbuluan sot në mëngjes në selinë qendrore të arkitektëve “Foster+Partners” në Londër.

“Sot shënon fillimin e tij një udhëtim tepër emocionues drejt dorëzimit të atij që do të jetë stadiumi më i madh i futbollit në botë, në qendër të një Old Traffordi të rigjeneruar”, tha Ratcliffe.

“Stadiumi ynë aktual na ka shërbyer shkëlqyeshëm për 115 vitet e fundit, por ka mbetur prapa arenave më të mira në sportin botëror. Duke ndërtuar pranë zonës ekzistuese, ne do të jemi në gjendje të ruajmë thelbin e Old Trafford, ndërsa krijojmë një stadium vërtet të avancuar që transformon përvojën e tifozëve vetëm pak hapa nga shtëpia jonë historike”, theksoi ai.