Vepra erdhi nën kujdesin artistik të Edi Blloshmit dhe rrëmbeu duartrokitjet e përzemërta të të pranishmëve. Kjo performancë luhatet midis baletit bashkëkohor dhe teatrit, ku dy personazhet ndërveprojnë në disa dimensione.

“Dy shpirtra kureshtarë, të cilët eksplorojnë ekzistencën e njëri-tjetrit përmes lëvizjeve sa primitive, aq edhe bashkëkohore, sjellin në vëmendje krijimin e kordave abstrakte të besimit dhe procesin e ndërtimit, glorifikimit dhe në fund, shkatërrimit të tij”, shkroi Qendra për Hapje dhe Dialog (COD).

Mamalia, kjo specie e argjendtë dhe mistike, reflekton instinktet më të thella primitive të njeriut, aty ku çdo gjë perceptohet ende përmes shqisave, larg logjikës moderne. Personazhet vijnë nga botëkuptime të ndryshme, por në thelb, në qendër, në gjenezë, aty ku lind ndërveprimi ekzistencial përmes trupit, shpirtit dhe mendjes, ata janë veçse të bërë nga e njëjta materie, ajo e instinktit primitiv, në të cilën qëndron e pavetëdijshmja, e ngulitur thellë dhe e trashëguar. Kjo e shtyn një organizëm drejt mbijetesës së menjëhershme, vetëruajtjes dhe riprodhimit.