Presidenti Macron pranoi gjithashtu se pjesa më e vështirë e fundit të mandatit të tij të dytë është mbrojtja e bilancit të qeverisjes, ndërsa njëkohësisht duhet të ruajë energjinë për të përmirësuar çështjet që nuk kanë shkuar mirë.

“Ajo që është më e vështirë pas nëntë vitesh është të ruash atë që ke bërë mirë dhe të përpiqesh të shkosh më tej, por ndonjëherë duhet të rikthehesh te gjërat që nuk i ke bërë siç duhet”, theksoi ai.

Presidenti francez iu përgjigj një pyetjeje të një nxënësi që e pyeti se kur kishte dashur të bëhej president dhe nëse ende e motivon përparimi i Francës.

Ai u shpreh se dashuria për vendin dhe interesimi për jetën publike nuk mjaftojnë për të qenë president.

Macron theksoi se motivimi i tij ka qenë gjithmonë realizimi i ideve dhe përparimi i Francës dhe Evropës, duke e cilësuar politikën si një çështje pasioni dhe përkushtimi ndaj vlerave që ai beson.

Dy mandatet e tij janë shoqëruar me sfida të mëdha, përfshirë protestat e lëvizjes së “jelekëverdhve”, menaxhimin e pandemisë me masa të gjera mbështetëse për ekonominë dhe reformën e pensioneve që rriti moshën e daljes në pension në 64 vjeç, duke shkaktuar kundërshtime të forta sociale.

Vendimi i tij për të shpërndarë parlamentin në vitin 2024 ka sjellë një periudhë paqëndrueshmërie politike, me një Asamble Kombëtare të ndarë në disa blloqe dhe pa shumicë të qartë