Një mace e quajtur Cece është kthyer në një “banore” të përhershme e Tempullit të Denderës, duke u bërë pjesë e përditshme e përvojës së turistëve që vizitojnë këtë sit të lashtë.

Vizitorët e hasin shpesh teksa lëviz mes kolonave të gdhendura ose pushon në qoshe të qeta, ndërsa turma kalon përreth. Sipas stafit, Cece jeton prej vitesh në zonë dhe tashmë shumë udhëtarë shpresojnë ta shohin gjatë vizitës së tyre.

Ajo preferon zonat më të freskëta të tempullit, duke u vendosur zakonisht pranë mureve prej guri në hije. Prania e saj e qetë është kthyer në një moment të veçantë dhe të papritur për vizitorët që eksplorojnë këtë monument të lashtë egjiptian.

Tempulli i Denderës, i vendosur në bregun perëndimor të Nilit pranë qytetit të Denderës në Egjipt, është një nga komplekset më të ruajtura të lashtësisë egjiptiane. I ndërtuar kryesisht gjatë periudhës ptolemaike dhe i përfunduar në kohën e romakëve, ai i kushtohet perëndeshës Hathor, hyjneshë e dashurisë, muzikës dhe gëzimit. Tempulli shquhet për kolonat madhështore me kapitele të zbukuruara, relievet e detajuara dhe tavanet me piktura astronomike, përfshirë zodiakun e famshëm të Denderës, që dëshmon nivelin e avancuar të dijes së egjiptianëve të lashtë.