Ekspertët theksojnë se një jetë e kufizuar vetëm në ambiente të mbyllura mund të bëhet monotone për macet, duke shkaktuar shenja që shpesh ngatërrohen me sjellje normale ose edhe me probleme shëndetësore.
Veterinerja dr. Ann Hohenhaus, nga Schwarzman Animal Medical Center, shpjegon se shenjat e mungesës së stimulimit nuk janë gjithmonë të dukshme. Sipas saj, sjellje si fshehja e vazhdueshme, ndryshimet në oreks, shmangia e kutisë së rërës, të vjellat apo diarreja mund të jenë tregues të stresit ose mërzisë.
Ndërkohë, sipas ekspertes së sjelljes Heather Alvey, shumë nga rastet që ajo trajton lidhen pikërisht me mungesën e stimulimit. Macet mund të reagojnë me sjellje destruktive, zhurmë të tepruar, agresivitet, vetëpastrim të tepërt, apo edhe me fenomenin PICA – konsumimin e objekteve jo ushqimore.
Ekspertët rrëzojnë gjithashtu mitin se macet janë kafshë “pa shumë kërkesa”. Edhe pse kalojnë një pjesë të madhe të ditës duke fjetur, kjo jo gjithmonë është shenjë rehatie, por mund të tregojë mungesë aktiviteti.
Mungesa e stimulimit mund të ndikojë edhe në shëndetin fizik. Macet e mërzitura kërkojnë më shumë vëmendje nga pronarët, gjë që shpesh keqinterpretohet si uri, duke çuar në ushqyerje të tepërt, shtim në peshë dhe probleme të tjera shëndetësore.
Sipas veterineres dr. Chyrle Bonk, këto sjellje mund të përshkallëzohen duke shkaktuar dëmtime fizike apo probleme si infeksionet urinare.
Ekspertët bien dakord se pasurimi i ambientit është thelbësor. Si kafshë me instinkt gjuetie dhe eksplorimi, macet kanë nevojë për hapësira dhe aktivitete që stimulojnë këto prirje natyrore. Elementë si platforma pranë dritares, pemë për mace dhe lodra interaktive mund të ndihmojnë në krijimin e një ambienti më të pasur.
Rekomandohet gjithashtu ndërrimi i lodrave për të shmangur monotoninë, si dhe përdorimi i elementeve sensoriale si catnip apo silver vine.
Ndërveprimi i përditshëm me pronarin mbetet kyç. Ekspertët sugjerojnë rreth 30 minuta lojë në ditë për shumicën e maceve, ndërsa macet më energjike mund të kenë nevojë për më shumë.
Ndërkohë, edhe pse dalja jashtë nuk është e domosdoshme, alternativa të sigurta si shëtitjet me rrip apo hapësirat e mbyllura në natyrë (catio) mund të ofrojnë stimulim shtesë.
Në fund, ekspertët theksojnë se çdo mace është e ndryshme dhe përshtatet ndryshe me jetën në ambiente të brendshme. Megjithatë, krijimi i një ambienti të pasur dhe sigurimi i vëmendjes së mjaftueshme mund të bëjnë një ndryshim të madh në mirëqenien e tyre.





