Mes maleve të gjelbra dhe peizazheve spektakolare fshihet një “copëz parajse” në Shqipëri, një vend unik ku mund të mbërrish vetëm me varkë.
Ky destinacion po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve ndërkombëtarë, të cilët e përshkruajnë atë, si një “parajsë të fshehur” me ujëra të kristalta dhe të kaltra dhe natyrë të paprekur, duke e krahasuar shpesh me Tajlandën, shkruan Emily Malia në median britanike “Liverpool Echo”.
Bëhet fjalë për Lumin e Shalës, një nga atraksionet më të veçanta në Alpet Shqiptare, i cili shpesh quhet edhe “Tajlanda e Evropës” për shkak të ngjyrave të ujit dhe peizazhit dramatik me male të gjelbra përreth.
Destinacioni ndodhet pranë Parkut Kombëtar të Alpeve Shqiptare, jo shumë larg fshatit të Thethit, dhe është i aksesueshëm kryesisht përmes një udhëtimi me varkë që nis nga Liqeni i Komanit.





