Bashkia e Shkodrës u kërkoi sot individëve dhe subjekteve private të marrin masa për të liruar hapësirat publike të zëna padrejtësisht, duke u kujtuar se sipas ligjit, koha në dispozicion për kryerjen në mënyrë vullnetare është deri më 26 qershor. Bashkia e Shkodrës i referohet trotuareve, shesheve publike, mjediseve të gjelbra dhe parkimeve publike të cilat do çlirohen nga çdo mjet që pengon përdorimin e hapësirave të përbashkëta, si karrige, goma, blloqe betoni, vazo lulesh apo sende të tjera. Po ashtu, do të lirohen rrugët dhe trotuaret nga podet e karriget e vendosura aty nga subjekte që s’kanë lidhur kontratë me bashkinë për përdorimin e këtyre hapësirave. Në përfundim të këtij afati pesëditor, Bashkia njoftoi se do të ndërhyjë për lirimin e tyre me strukturat përkatëse dhe forcën që i jep ligji. “Të gjithë qytetarët apo subjektet që duan të përfitojnë përdorimin e hapësirave sipas ligjit, i ftojmë të përdorin këtë hapësirë kohore për tu paraqitur pranë Zyrës me një ndalesë për të ndjekur procedurat përkatëse’”, thuhet në njoftimin e Bashkisë së Shkodrës. Duke vënë në dukje se është detyrim i secilit të zbatojë rregullat e bashkëjetesës në mjediset publike, bashkia Shkodër shpreh bindjen në mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve. atsh