Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka nxjerrë për konsultim publik dy nisma ligjore “Për shëndetin e bimëve” dhe “Për shëndetin e kafshëve” pas përafrimit të tyre me legjislacionin e BE-së. Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj tha se, projektligji “Për shëndetin e kafshëve” synon parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve të kafshëve, zbulimin dhe raportimin në kohë, si dhe organizimin e masave emergjente për çrrënjosjen e sëmundjeve. “Ky projektligj garanton sigurinë e shëndetit të kafshëve dhe njerëzve, dhe përmirëson gjurmueshmërinë dhe kontrollin e produkteve me origjinë shtazore”, u shpreh ministrja. Denaj informoi se, Projektligji i dytë “Për shëndetin e bimëve” synon të mbrojë bimët dhe produktet bimore nga dëmtuesit dhe të parandalojë përhapjen e tyre në territorin e Republikës së Shqipërisë, duke vendosur rregulla për menaxhimin e risqeve fitosanitare. “Në këtë proces mendimi i profesionistëve, ekspertëve dhe vetë fermerëve është i rëndësishëm” theksoi Denaj, teksa ftoi aktorët e linjës të paraqesin mendimet e tyre deri më datë 28 gusht.