Pas miratimit të ligjit “Për gazet serrë të fluoruara”, është caktuar një periudhë trevjeçare për miratimin e akteve nënligjore dhe për t’i dhënë afatet e duhura sektorit publik e privat të marrë masat e duhura para se ai të hyjë në fuqi. Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro e bëri këtë njoftim në një takim me përfaqësues të biznesit dhe industrive të sektorit. Qëllimi i këtij ligji është mbrojtja e mjedisit nëpërmjet reduktimit të shkarkimeve të gazeve serrë të fluoruara të cilat gjejnë përdorim të gjerë në qarqet ftohës të frigoriferëve, pajisjet e ajrit të kondicionuar, pompat e nxehtësisë dhe sistemet e mbrojtjes nga zjarri. Pikërisht kjo është edhe kategoria e bizneseve që do të preken nga ky ligj. “Gjykojmë që kjo periudhë trevjeçare është e mjaftueshme për të gjitha bizneset që të rishikojnë planet e tyre të biznesit, planin e tyre të investimit, të financimit dhe për të parë mundësinë se si gradualisht dhe pa krijuar trauma as në sektorin privat, por edhe në atë publik, si dhe për t’u përgatitur që Shqipëria të rreshtohet jo vetëm ligjërisht, por edhe praktikisht, edhe financiarisht në këtë angazhim ndërkombëtar”, u shpreh ministrja Kumbaro. Ministrja Kumbaro u shpreh gjatë takimit se, ky është një rast kur biznesi privat duhet të bashkëpunojë me sektorin publik për zbatimin e një legjislacioni që sjell kufizime në disa produkte të cilat kanë pasoja negative mbi mjedisin, edhe si pjesë e detyrimeve e kushteve ligjore të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian. Në ligj përcaktohen rregullat dhe procedurat lidhur me parandalimin, kufizimin, përdorimin, rikuperimin dhe shkatërrimin e gazeve serrë të fluoruara dhe masat që lidhen me to, kushtet për hedhjen në treg të produkteve dhe pajisjeve specifike që përmbajnë ose funksionimi i të cilave bazohet në gazet serrë të fluoruara, kushtet për përdorimet specifike etj. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka nisur informimin me sipërmarrjet që preken nga ky ligj, përkatësisht nr. 2/2023 “Për gazet serrë të fluoruara”. atsh
Ligji për gazet serrë të fluoruara
RELATED ARTICLES