Hekurudha Shqiptare bën të ditur se punimet për ndërtimin e segmentit Domje-Rinas janë drejt përfundimit.
Sipas HSH-së, deri tani janë ndërtuar 5 km trase e re hekurudhore, 2 ura mbi lumin Tirana dhe lumin Lana, 13 tombino për kullimin e ujërave, sikurse 2 kalime në nivel me rrugën e Laksanit dhe Brukës.
Ky projekt është pjesë e linjës hekurudhore Durrës-Tirana dhe mundëson lidhje të shpejtë dhe të qëndrueshme midis Durrësit, Tiranës dhe Aeroportit të Rinasit.
Ndërtimi i kësaj linje do të sjellë më pak trafik, më pak ndotje më shumë komoditet për qytetarët dhe turistët.
Sipas projektit të kësaj linje hekurudhore, koha e udhëtimit Tiranë-Durrës do të jetë 24 minuta dhe Tiranë-Rinas vetëm 12 minuta.
Linja do të ketë 11 stacione, të cilat do nisin nga Durrësi, për të vijuar në Shkozet-Sukth-Vorë-Kashar, linja këto ekzistuese por që i janë nënshtruar riparimit. Më pas aksi hekurudhor do të vijojë në Laknas, Aeroporti i Tiranës dhe Terminali i Transportit Publik Tiranë.
Stacioni i 9-të dhe i 10-të janë parashikuar dhe projektuar të ndërtohen në kontratën e segmentit shtesë nga Terminali i Transportit Publik Tiranë deri te Bulevardi i Ri. Ndërkohë stacioni i 11-të është menduar të shtrihet në kryqëzimin e rrugës “Jordan Misja”-Bulevardi i Ri.
Treni i hekurudhës Tiranë-Durrës do të jetë elektrik, ndërkohë që shpejtësia e lëvizjes parashikohet 100 km /orë. Hekurudha është e gjatë rreth 34 km dhe financimi i saj mbështetet nga BERZH përmes një kredie me vlerë 70 milionë euro