Ismail Qemali pati përballë pengesa thuajse të pakapërcyeshme, por me gjeninë e tij ai shpalli Pavarësinë, pa një ushtri dhe pa zhvilluar luftë. Është fati ynë që kemi pikërisht atë themeluesin e shtetit shqiptar dhe modelin par excellence ku mund të mësojmë e të frymëzohemi, për të tejkaluar sfidat e së ardhmes.
Dhe është fati ynë që këtë vit të lexojmë një tjetër libr, jo historik, sa politik e social për karakterin dhe cilësitë e një njeriu që kemi thuajse 110 vite që e presim të na vijë sërish në politikë.
Ismail Qemal Vlora përgjatë gjithë jetës u shqua si një lider i shkëlqyer. Një njeri i drejtë dhe i ndershëm, i cili besonte në atë që predikonte dhe në atë që bënte. Ai ishte i duruar, këmbëngulës dhe i qëndrueshëm. Ai kërkonte që t’i bindte dhe motivonte të tjerët dhe jo t’i detyronte ata drejt realizimit të synimeve të përbashkëta. Ai veproi në kohën e duhur dhe me stilin e tij të lidershipit arriti të themelonte një shtet. Ismail Qemali i kishte të qarta synimet që donte të arrinte. Ai nuk ishte një lider i përsosur dhe për më tepër ai nuk udhëhiqte njerëz të përsosur. Por, ai i donte pa kushte njerëzit dhe popullin e tij. Ai ishte kurdoherë një mbrojtës i flaktë i interesit publik, si në periudhën kur shërbeu si funksionar i lartë i Perandorisë, ashtu edhe kur i shërbeu shtetit shqiptar. Dhe në këtë libër njiheni pikërisht me këto cilësi të lidershipit.
VLERËSIME PËR LIBRIN
ISMAIL KADARE: “Ismail Qemali është quajtur vetvetiu THEMELUESI nga populli shqiptar. Figura e tij tregon se kombi shqiptar ka themele, ka bazë ku të rritet. Libri “Themeluesi”, i shkruar nga studiuesi Evarist Beqiri, vjen si një nevojë dhe si një domosdoshmëri për të riafirmuar Ismail Qemalin dhe kombin shqiptar. Një komb ka nevojë për riafirmime të herëpasherëshme dhe ky libër për Ismail Qemalin tregon se ai është një popull që do të riafirmohet si komb dhe do ta arrij këtë gjë padyshim.”
AURELA ANASTASI: Metodologjia e këtij libri i ka mundësuar autorit të thellohet në analizën e tipareve dhe arritjeve të Ismail Qemal Vlorës si lider, përmes shtjellimit të fakteve historike dhe krahasimit me liderë të tjerë në Shqipëri e në botë.
NEVILA NIKA: Autori e trajton figurën e Ismail Qemalit si lider. Falë një pune të mundimshme autori ka qëmtuar arkiva e biblioteka, autorë të huaj e shqiptarë duke zbuluar të dhëna të njohura pak ose aspak nga publiku shqiptar, por edhe ai i huaj. Po kështu na përcjell me shumë vërtetësi ndikimin që historia familjare ka pasur në formimin e karakterit të tij si Prijës i ardhshëm i Kombit, si dhe ka analizuar edhe rrugëtimin e Ismail Qemalit si nëpunës i Perandorisë Osmane, gjatë të cilit ai kishte dëshmuar se zotëronte tipare e aftësi prej Lideri.
JU NJOHIM ME AUTORIN E LIBRIT
Evarist Beqiri u lind më 25 shtator 1982, në Vlorë. Në vitin 2007 diplomohet “Jurist” në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë. Po aty në vitin 2011, kreu studimet Master i Nivelit të Dytë. Në vitin 2017, fiton gradën shkencore “Doktor” në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë. Prej 14 vitesh shërben në administratën publike shqiptare në fushën e sigurisë kombëtare. Ka kontribuar si lektor në një sërë trajnimesh për sigurinë kombëtare, organizuar nga institucione kombëtare dhe ndërkombëtare. Prej vitesh Evarist Beqiri është lektor në Fakulteti i Drejtësisë, në lëndën: E Drejta Kushtetuese.