Lekë Tasi, ekspozitë në Shkodër

0
13

Galeri “Oda” në Shkodër çeli ekspozitën e artistit Lekë Tasi. Piktori 94-vjeçar e ka titulluar ekspozitën e tij “Përsëri n’Shkodër” dhe ka sjellë një pjesë të punimeve të tij në pikturë, frymëzuar nga rrymat e artit të shekullit XX. Ekspozita është vizituar edhe nga një numër i madh të rinjsh, artistësh e shkrimtarësh të qytetit të Shkodrës. Galeria “Oda” organizoi edhe një takim mes piktorit dhe një grupi të rinjsh shkodranë. Nxënës të shkollave të mesme, si dhe studentë të Universitetit të Shkodrës kanë pasur kureshtje për të folur me artistin lidhur me krijimtarinë artistike, vështirësitë dhe muzat frymëzuese. Lekë Tasi i këshilloi të vizitojnë galeritë e Europës, që të shohin artin muzeal apo atë në galeri. Leke Tasi ka lindur në 1929 në Athinë, në një familje me origjinë përmetare. Fillimisht ju kushtua muzikës e veçanërisht violonçelit. Punoi në orkestrën e Radio Tiranës, në Filarmoninë e Shtetit dhe në Teatrin e Operas, ndërkohë që paralelisht merrej dhe me pikturë, duke ekspozuar në disa ekspozita, deri sa më 1975 internohet familjarisht në Grabjan të Lushnjës. Me ardhjen e demokracisë Tasi ka pasur një sërë ekspozitash vetjake si dhe ka marrë pjesë në të tjera. Tri nga punimet e tij gjenden në Galerinë Kombëtare të Arteve, në teknikën e ngjyrave të vajit, të cilën vazhdon ta preferojë sot e kësaj dite. atsh