Në kuadër të lehtësimit të shërbimeve konsullore, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme njofton të gjithë shtetasit shqiptarë që ndjekin procedurat e legalizimit të dokumenteve se tashmë ky proces bëhet brenda 24 orëve. Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani u shpreh se për këtë mjafton të dorëzohen dokumentet në çdo zyrë poste brenda territorit të RSH-së. “MEPJ përpunon të gjithë dokumentacionin për legalizim/ apostilim brenda ditës, i cili merret në dorëzim nga korrierët e postës dhe më pas kryhet shpërndarja e tyre”, u shpreh ai. Shqipëria është anëtare e Konventës së Hagës “Për heqjen e detyrimit të legalizimit të dokumenteve zyrtare të huaja” të 5 tetorit 1961, që do të thotë se dokumentet shqiptare që do të përdoren në vendet anëtare të së njëjtës Konventë, si dhe anasjelltas, nuk do të legalizohen nga përfaqësitë diplomatike e konsullore.